Një studim me mbi 30.000 njerëz, ka zbuluar lidhjen midis një grupi gjaku dhe simptomave të para-demencës. Sipas tij, njerëzit që kanë grupin e gjakut AB, mund të kenë më shumë gjasa të vuajnë nga humbja e kujtesës me kalimin e moshës.
Lloji relativisht i pazakontë i gjakut, që gjendet tek rreth 4 për qind të njerëzve, po lidhet tani me problemet e kujtesës dhe të menduarit me kalimin e moshës. Studimi, i publikuar në revistën “Neurology”, zbuloi se njerëzit me grupe gjaku AB, kishin 82 për qind më shumë gjasa të zhvillonin problemet konjitive që mund të çojnë tek sëmundja e demencës.
Dr. Meri Kushman, profesoreshë e hematologjisë në Universitetin e Vermontit, SHBA, e cila drejtoi studimin në fjalë u shpreh: “Studimi ynë shqyrtoi grupet e gjakut dhe rrezikun e dëmtimit të aftësive njohëse.
Por disa studime kanë treguar se faktorë të tillë si presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe diabeti, e rrisin rrezikun e dëmtimit konjitiv dhe demencës. Lloji i gjakut, lidhet gjithashtu me gjendje të tjera vaskulare si goditjet në tru, prandaj gjetjet e këtij studimi nxjerrin në pah lidhjet midis problemeve vaskulare dhe shëndetit të trurit”.
Studimi ndoqi ecurinë e mbi 30.000 njerëzve për rreth 3 vite e gjysmë. Nga këta njerëz, 495 patën probleme me kujtesën dhe të menduarit gjatë kohës së studimit. Ata u krahasuan me 587 njerëz, tek të cilët nuk u vu re asnjë problem njohës. Gjithsesi, ata që kanë grupin e gjakut AB, nuk duhet të shqetësohen pa arsye.
Pasi në krahasim me stilin e jetës dhe efektet mjedisore, ndikimi i grupit të gjakut është relativisht i vogël. Pra ushtrimi i rregullt fizik, të ushqyerit mirë dhe shmangia e pirjes së duhanit, ka të ngjarë të ketë një efekt pozitiv shumë më të madh, sesa efekti negativ i grupit të gjakut. Po ashtu, studiuesit theksuan se ky është një zbulim paraprak, dhe nuk vërteton se ekziston një lidhje shkakësore.