image OBSH thotë se ka rrezik nga kjo metodë e trajtimit të pacientëve me COVID-19 - Sinjali

OBSH thotë se ka rrezik nga kjo metodë e trajtimit të pacientëve me COVID-19

news image

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar që të bëhet kujdes lidhur me çështjen e trajtimit të të infektuarve me COVID-19 me plazmën e gjakut që merret nga personat që janë shëruar nga koronavirusi.

Shkencëtarja e OBSH-së, Soumya Swaminathan, në një konferencë për media ka bërë një vlerësim lidhur me miratimin për “përdorim emergjent” të trajtimit me plazmë nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).

Swaminathan tha se rezultatet e trajtimit të plazmës në luftën kundër COVID-19 nuk janë përfundimtare. “Aktualisht ofrohen prova në cilësi shumë të ulët”, tha ajo.

Duke deklaruar se OBSH e sheh ende si eksperimentale trajtimin e plazmës, Swaminathan tha: “Sigurisht që vendet mund ta bëjnë një listë të situatave emergjente kur mendojnë se përfitimet janë më të mëdha sesa rreziqet, por kjo në përgjithësi bëhet kur prisni prova përfundimtare”.

Martin Landray nga Universiteti i Oxfordit tha se trajtimi me plazmë jep “shpresë të madhe” por se aktualisht nuk ka ndonjë provë se ajo funksionon. “Ka një dallim të madh mes teorisë dhe provës”, vlerëson ai.

Landray i cili ndodhet në ekipin që zhvillon punime në çështjen e trajtimit të plazmës në Britani, shtoi se për të marrë një përgjigje në këtë çështje duhet të bëhen hulumtime me pjesëmarrjen e disa mijëra të sëmurëve.

Ndërkohë, Stephen Griffin nga Universiteti i Leedsit ka bërë të ditur se ka ende një paqartësi të konsiderueshme lidhur me mënyrën sesi sistemi imunitar i përgjigjet COVID-19 dhe se kjo situatë vështirëson trajtimin e mundshëm të plazmës.

“Mesa duket nuk është nxjerrë mësim nga hydroxychloroquine”, shtoi Griffin.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e cilësoi si një pikë kthese vendimin e Administratës Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për trajtimin e COVID-19 me plazmë. FDA ka aprovuar përdorimin emergjent të hydroxychloroquine para të tërhiqej disa muaj më parë.

OBSH-ja me arsyetimin se “kanë dështuar në uljen e normës së vdekshmërisë” njoftoi se ka ndaluar përdorimin e “hydroxychloroquine” dhe ilaçeve me kombinimin “lopinavir/ritonavir” që janë përdorur në trajtimin e personave të prekur me COVID-19. /Gazeta Sinjali


Shpërndaje artikullin