image Një vit burgim për grabitësin në Klinë

Drejtësi

Një vit burgim për grabitësin në Klinë

news image

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda ka dënuar me një vit burgim të dyshuarin G.B.W për grabitje.

Sipas gjykatës “më 02.12.2008, rreth orës 24:00, në fshatin P, komuna K, me qëllim që vetit t’i sjellin pasuri të kundërligjshme, kanë kryer vepër penale të grabitjes, në atë mënyrë që të pandehurit E dhe J, paraprakisht janë marr vesh dhe kanë hartuar planin për kryerjen e grabitjes në shtëpinë e të dëmtuarave F dhe L.N, me që e pandehura E ka qenë e martuar për djalin e të dëmtuarës F e cila ka jetuar në një bashkësi familjare me të dëmtuarat deri në kryerjen e veprës penale.”

‘I pandehuri J. i ka njoftuar të pandehurit A, P dhe G për planin për grabitje që kishte përgatitur me të pandehurën E dhe kanë shkuar në fshatin P, ku i pandehuri J iu ka treguar se e pandehura E ju pret në shtëpi, ju duhet të hyni në shtëpi përmes një dritare në katin përdhes e cila është e hapur dhe të njëjtit i ka lënë afër shtëpisë së të dëmtuarave dhe vet ka shkuar dhe i ka pritur në një restorant, po në të njëjtin fshat.

Të pandehurit A, P dhe G janë futur brenda në shtëpi, e kanë takuar të pandehurën E në katin e dytë të shtëpisë e cila ju ka treguar se në cilat dhoma dhe çka mund të marrin , të pandehurit A dhe G, janë futur në dhomën e të dëmtuarës L, të cilën e kanë kërcënuar që të mos lëvizë se do t’i mbysin dhe në dhomën e saj kanë marr një çantë në të cilën kanë qenë tri pasaporta, 25 euro dhe një rreth të arrit të dorës, ndërsa i pandehuri P ka qëndruar së bashku me të pandehurën E, pasi kanë dal nga ajo dhomë, e pandehura E ju ka thënë që të hyjnë në dhomën e vjehrrës në katin përdhese ku i pandehuri P e ka hapur derën me forcë e cila ishte e mbyllur, ka hapur gjithashtu edhe një arkë të drurit dhe nga arka ka marr një kuti të vogël me ca unaza dhe vathe si dhe disa gjësende të bizhuterisë dhe dy orë dore.

Të pandehurit e kanë hedhë çantën së bashku me pasaporta në lum, ndërsa arin e grabitur e kanë shitur në një argjendari në çmimin prej 400 euro, të cilën shumë të hollave e kanë ndarë në mënyrë proporcionale nga 100 € për çdo njërin.”

Të dyshuarit e tjerë E.M, P.I, J.D dhe A.A, janë gjykuar dhe janë shpall fajtor më parë ndërsa, i pandehuri G.B.W, deri tani, ka qenë i pakapshëm për organet e ndjekjes.

Me qëllim të sigurimit të prezencës së tij në procedurë, i pandehuri G.B.W është shpall në kërkim ndërkombëtar me ç’ rast i njëjti është lokalizuar dhe është ekstraduar në Kosovë”.

Të njëjtit gjykata i shqiptoi dënimin me burg në kohëzgjatje prej një viti në të cilin dënim i llogaritet dhe koha e kaluar në paraburgim si dhe koha e kaluar në paraburgim në pritje të ekstradimit.

/GazetaSinjali/