Tre të dyshuar në aksidentin me teleferik në Itali ku humbën jetën 14 persona janë lejuar të largohen nga burgu të dielën, pasi një gjykatës ka sugjeruar se shumica e fajit bie te një teknik, i cili qëllimisht kishte shkyçur frenin emergjent, pasi vazhdonte të bllokohej në mënyrë spontane.
Gjykatësja Donatella Banci Buonamici ka thënë se nuk ka mjaftueshëm dëshmi për të sugjeruar se pronari i kompanisë së teleferikut në Mottarone, Luigi Nerini, apo shefi i mirëmbajtjes Enrico Perrocchio, ishin në dijeni se tekniku kishte çaktivizuar frenin në disa raste edhe para aksidentit të rëndë më 23 maj.
Derisa ka vlerësuar kërkesën e prokurorit për të vazhduar paraburgimin për të tre, Buonamici ka urdhëruar që menaxherët të lirohen, ndërsa teknikut Gabriele Tadini i është caktuar masa e arrestimit shtëpiak.
Tre personat, që janë nën hetime, janë larguar nga burgu Verbania herët të dielën, të përcjellë nga avokatët e tyre.
14 persona vdiqën kur kabllo e teleferikut në Mottarone u këput, ndërsa freni emergjent nuk parandaloi kabinën që të shkonte prapa. Kabina më pas u përplas përtokë.
I vetmi i mbijetuar në këtë aksident ishte 5-vjeçari Eitan Biran, që mbetet në spital, por me vetëdije. Prindërit e tij, vëllai i vogël dhe gjyshërit humbën jetën në aksident.