image Një shtëpi botuese zbulon pa dashje skandalin e Ministrisë së Arsimit

Kosovë

Skandaloze/ Një shtëpi botuese zbulon pa dashje skandalin e Ministrisë së Arsimit

news image

Një shtëpi botuese në Shqipëri ka shpërfaqur krejt rastësisht skandalin e dështimit të Ministrisë së Arsimit për t`i siguruar tekstet kohore për nxënësit.

Neglizhenca e drejtuesve të Ministrisë së Arsimit për t`i porositur me kohë për shkak të gjumit të gjatë veror dhe përgatitjeve për fushatë, ka bërë që edhe një muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor, nxënësit e klasave të ndryshme të shkollave të mesme të ulëta dhe të ciklit fillor të kenë probleme me furnizim me libra, që është mjeti kryesor dhe elementar për mësim.

Pas ngritjes së kësaj problematike nga Gazeta Sinjali për disa ditë me radhë, MASHT-i i është kujtuar që për këtë vit shkollor, ta bëjë porosinë për shtypjen e disa librave tek fundjavën që shkoi.

Arlinda Rrushi, koordinatore e sektorit të librit në shtëpinë botuese “Pegi” në Shqipëri,  ka thënë për Gazetën Sinjali se Ministria e Arsimit e Kosovës, tek të shtunën e ka dërguar njoftimin për librat e dytë fitues për këtë vit shkollor.

“Unë mund t’i dërgoj edhe me foto. Ka ardhur njoftimi ditën e shtunë për librat fitues si Edukim për Shoqërinë, klasa e parë; Gjuha Shqipe 6, Gjeografia 6 dhe TIK 10. Ka pesë ditë që kanë ardhur vendimet dhe sot pritet t’i bëjë gati për botim. Por ne nuk kemi asnjë lloj informacioni nga ministria se si do të bëhet pilotimi i tyre, si do të shpërndahen. Ne për të dytat jemi njoftuar me vonesë. Nuk e di se kush është përgjegjës për këtë pjesë, por kanë qenë gjërat shumë me vonesë nga ministria”, ka thënë Rrushi për Gazetën Sinjali duke shtuar se librat për të cilat kanë fituar herën e parë, janë shpërndarë me kohë nëpër libraritë kryesore të Kosovë, siç janë ato të klasave të 11-ta: Art Figurativ, Edukatë Muzikore edhe TIK i klasës 10.

Por, pak kohë pas kësaj deklarate, përfaqësuesja e kësaj shtëpie botuese është bërë “pishman” për deklaratën e dhënë. Ajo ka ndërruar mendje dhe më nuk ka pranuar të jap detaje për Gazetën Sinjali.

 “Mendova se jeni pjesë e Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe kërkonit një informacion për mbarëvajtjen e shpërndarjes së librave, ndaj ju shpjegova me gjerësisht. Unë ju përgëzoj për punën që bëni si gazetar, por nuk mund të jap informacione të mëtejshme dhe të bëhem pjesë e ndonjë gazete apo të prononcohem për diçka të tillë. Këtë pjesë duhet ta zgjedhin përfaqësuesit e Ministrisë”, ka thënë Rushi ndonëse që në fillim i është bërë e ditur se po kontaktohet nga Gazeta Sinjali dhe se redaksia posedon audioincizimin e bisedës.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit, përkundër dështimit për t`i bërë me kohë porositë ditë më parë, ua hodhi fajin shtëpive botuese për mungesën e librave në treg.

“Sa i përket klasës 10 dhe 11, Ministria nuk e ka obligim furnizimin e nxënësve me tekste shkollore. Por, duke qenë se për këto klasë, po ashtu janë përgatitur tekstet e reja, MASHT me kohë i ka lëshuar vendimet për shtëpitë botuese, për tekstet që kanë fituar të drejtën për botim. Prandaj, është përgjegjësi e shtëpive botuese që ta furnizojnë tregun me këto tekste”, thuhej në reagimin publik të MASHT-it pas raportimit të Gazetës Sinjali për këtë problem.

Përkundër hedhjes së fajit nga një tabor në tjetrin, nxënësit edhe gati një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, sidomos ata të klasave të 10-ta dhe të 11-ta ende nuk po mund t’i kenë në çantë librat e rinj për të cilat Ministria e Arsimit kishte deklaruar se do të jenë në treg që nga fillimi i këtij viti shkollor.

Ashtu siç nxënësit janë njoftuar nga mësimdhënësit, shumica e teksteve shkollore për këto klasë që janë përdorur vitet e kaluara nuk vlejnë më dhe ato nuk mund t’i blejnë përderisa janë në pritje të teksteve të reja shkollore të hartuara nga shtëpitë botuese me kërkesë të Ministrisë së Arsimit.

Për  pasojë nxënësit janë të detyruar të presin në afat të pacaktuar derisa të dalin në treg tekstet e reja shkollore. /Gazeta Sinjali/