Një shtetas rus të enjten është ekstraduar nga Koreja Jugore në Ohio pasi që i njëjti dyshohet se ka qenë i përfshirë në një organizatë të krimeve kibernetike.
I njëjti është paraqitur në gjykatën federale në ShBA, bëri të ditur Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
Vladimir Dunaev, 38 vjeçar, ka qenë anëtar i një organizate për krime kibernetike që ka aktivizuar një mashtrues kompjuterik bankar dhe një seri sistemesh për haraç të njohura si “Trickbot”.
“Trickbot-i ka sulmuar biznese dhe viktima përreth globit dhe ka infektuar miliona kompjuterë për vjedhje dhe haraç, përfshirë rrjetet e shkollave, bankave, qeverive lokale dhe kompanive të kujdesit shëndetësor, energjisë dhe bujqësisë”, tha zëvendësprokurorja e përgjithshme, Lisa Monaco, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Sinjali.
Në padi pretendohet se duke filluar nga nëntori i vitit 2015 e deri në gusht të vitit 2020, rusi Dunaev dhe disa të tjerë kanë vjedhur para e të dhëna konfidenciale si dhe kanë dëmtuar sisteme kompjuterike të viktimave, përfshirë individë, institucione financiare, distrikte shkollore, kompani shërbimesh, organe qeveritare dhe biznese private.
Dyshohet se këta persona kishin përdorur një rrjet bashkëpunëtorësh dhe programerësh kompjuterikë për të krijuar, aktivizuar dhe menaxhuar viruset kompjuterike, të cilat prekën miliona sisteme kompjuterike në mbarë botën, tha më tej Departamenti i Drejtësisë. /GazetaSinjali/