Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund ta përdhos askush, thonë ish-ushtarët e UÇK-së, duke shtuar se drejtësia ndërkombëtare do ta vërtetojë se ishte mision i drejtë dhe i pastër.
Ish-eprori Musë Gjakova, tha se është i shqetësuar me procesin e hetimit ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, por theksoi se beson që në fund do të vërtetohet se ishte një luftë çlirimtare.
“Kosova ka shumë sfida dhe ne jemi duke u ballafaquar me procese gjyqësore të ushtarëve të UÇK-së, ku jemi të shqetësuar në mënyrën se si është duke u vepruar njëanshëm gjykimi kinse për krime të luftës. Unë personalisht besoj që lufta e UÇK-së do të dëshmohet edhe nëpër gjykata ndërkombëtare, dhe do të jemi ata që t’u tregojmë botës që kjo ka qenë një lufte e drejtë, luftë e pastër në aspektin e gjitha orientimeve që sot botërisht njihen me konventat ndërkombëtare të luftës”, tha ai.
Po ashtu, ish-luftëtari nga zona e Drenicës, Naser Karpuzi, tha që sado që mundohen ta përdhosin luftën e UÇK-së, është e kotë pasi misioni i vetëm i tyre ka qenë arritja e çlirimit nga okupatori serb.
“Edhe pse përpjekjet e Serbisë, unë i konsideroj të Serbisë por edhe të armiqve të brendshëm të vendit tonë, për fat të keq edhe gjatë luftës edhe pas përfundimit të saj kanë filluar që ta përdhosin emrin UÇK. Kjo është e kotë sepse ushtria jonë e ka pasur një mision, çlirimin e Kosovës nga okupatori serb dhe lirinë e vendit dhe ai qëllim është arritur falë gjakut të dëshmorëve. Që përkulemi para gjakut të tyre”, theksoi ai.
Emocion e krenari, rrugëtimi drejtë UÇK-së
Musë Gjakova, epror në UÇK dhe ish-luftëtari nga zona e Drenicës, Naser Karpuzi, rrëfejnë për Ekonomia Online rrugëtimin e tyre për t’iu bashkuar krahut të luftës, si dhe për përjetimet e tyre personale gjatë luftës.
Gjakova tregon se kur filluan hapat e parë për organizimin e luftës çlirimtare, ishte epror në detyrë në Slloveni.
“Rrugëtimi për t’u radhitur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ishte përpjekja e gjithë eprorëve në atë kohë nga viti 1991, ku unë si epror isha në detyrë në Slloveni dhe nga atëherë filluan hapat më serioz rreth organizimit për luftën e mundshme në Kosovë. Ajo periudhë ishte e vështirë, sepse ishte vendimmarrje që duhet bërë diçka për Kosovën edhe pse ishte tmerr, nuk kishim informacion të duhur dhe iu qasëm një pune me rrezik goxha të madh duke na përcjellë agjensi të llojllojshme, dhe jam krenar që kam qenë pjesë e atyre punimeve për luftën në Kosovë”, tha Gjakova.
Tutje ai tha që për të, datat 5,6 dhe 7 marsi janë data të lavdishme që nuk duhet harruar dhe që na shërbejnë si udhërrëfyes se si bëhet rezistencë ndaj së keqes.
“Përgjithësisht me respektin më të madh, i përkulemi familjes Jashari ku për ne dhe për gjithë qytetarët e Kosovës na shërben si udhërrëfyes se si luftohet, se si duhet liria dhe nga sulmet për të tretën herë e kemi parasysh që në Prekaz u vranë 52 shqiptarë dhe nga ky numër 22 ishin anëtarë të familjes Jashari, nga ata kishte dhe fëmijë dhe gra. Kjo na shërben neve sot që të jetojmë me dinjitet dhe ndershëm që për mua si epror, ngjarja e marsit ishte kushtrimi, aty unë vendosa që të mobilizohem dhe të futem në listën për epror me lista të tjera të atëhershme dhe të nisim rrugën për Kosovë, kështu që menjëherë. Këto data janë data sublime me vlerë të çmuar, themel i shtetësisë së pavarur, kjo ishte për neve kushtrim për të nisur një luftë kundër agresorit, për një luftë për të mbrojtur popullatën e paarmatosur”, theksoi ai.
Me shumë frikë Gjakova kishte nisur këtë rrugëtim, por jo nga frika e armëve por nga frika e ndarjes nga familja.
“Shumë pak kishim informacion se çfarë na pret, me ardhjen time në Tiranë kam vërejtur shtabin e përgjithshëm që ishin i stërmbushur me eprorë e me detyra, dhe ndarja nga familja ishte shumë e vështirë për mua, edhe pse atëherë kisha dy fëmijë mirëpo nuk guxova të mendoj më tutje që po shkoj në Kosovë e të mos kthehem, sepse secili prej nesh e kishte atë rrugëtimin që të veprojmë dhe të arrijmë të kthehemi”, u shpreh mes tjerash Gjakova.
Ai në fund tregon për entuziazmin e përjetuar pas çlirimit.
“Janë momente entuziazmi, do të thotë pas çlirimit ku Kosova ishte e boshatisur, ku në periudhën sa më të shkurtër kthimi i të gjithë qytetarëve në vatrat e tyre, kjo ishte një ndjenjë jashtëzakonisht e vështirë për ta përshkruar gjithë atë gëzim. ishim solidar mes vete dhe ne ushtarët e UÇK-së ishim të mirëpritur kudo”, deklaroi ai.
ish-luftëtari nga zona e Drenicës Naser Karpuzi, duke rrëfyer sesi i është bashkëngjitur UÇK-së, thotë se Serbia ka qenë okupatori më i keq që njeh historia.
“Koha e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte koha kur okupatori serb në Kosovë bënte një fushatë të egër, ishte koha pas viteve të 90-ta, kishte suprimuar kushtetutën, kishte helmuar nxënës, për fat të keq kemi pasur të bëjmë me një okupator serb më të ndytë që njeh historia ndonjëherë apo ne që kemi arritur të lexojmë ndonjëherë në histori. Si pasojë e krejt kësaj atëherë arriti edhe kulmi i popullit shqiptar, liri a vdekje”, tha Karpuzi.
Tutje, ai tregon për masakrat që regjimi serb kishte bërë në dy fshatra të Drenicës.
“Ishin masakrat e vitit 98-të, saktë 28 shkurti i vitit 98-të ku makineria serbe në dy fshatrat e Drenicës bën masakra pas përballjes që pat me ushtrinë tonë, e cila veç kishte dal në skenë dhe aty nuk arriti të ballafaqohej direkt me ushtrinë dhe pastaj u hakmarrë ndaj popullatës civile ku vrau dhe masakrojë mbi 28 civilë në dy fshatrat e Drenicës. Pastaj pas kësaj ngjarje vinë edhe ngjarje tjera, 5,6 dhe 7 marsi i vitit 1998 ku makineria dhe pushteti serb planifikon një program të detajuar kundër shqiptarëve, në atë plan marrin pjesë qindra tanke, kundër një familje siç ishte familja Jasharaj”, u shpreh ai.
Më tej ai ndau një bashkëbisedim që kishte pasur me nënën e tij para se të nisej në luftë, i cili tha se sa herë e kujton atë moment mallëngjehet.
“Unë jam nga Drenica, dhe sa i përket luftës kemi filluar në Drenicë. Një kohë e pastaj kemi kaluar në njësitin special të shtabit përgjithshëm të UÇK-së, deri në përfundimin e luftës, mirëpo para se të shkojmë në luftë ishin momente të rëndësishme kur unë me familjen time, kur unë vendosa me shku në luftë dhe familjes time saktësisht nënës time sepse babai më kishte vdekur qysh moti, ju drejtova: Nënë unë kom vendos me shku në luftë, dhe unë kam pritur ndonjë reagim tjetër nga ajo, dhe ajo mu drejtua: Mirë biri im, Zoti të ndihmoftë ty dhe të gjithë atyre djemve dhe vajzave tjera se edhe ata janë bijtë dhe bijat e dikujt. Unë tani 23 vite pas luftës kur i kujtoj ato fjalë mallëngjehem për arsye se sot nëse djali apo vajza ime do të më thoshte babë unë po shkoj në luftë, do ju drejtohesha rrini ju se unë po shkoj. Në këtë rast dua të tregoj atë shpirtin human të nënave shqiptare, që kanë qenë shtylla e shtëpisë”, mes mallëngjimit tregoi Karpuzi.
Në fund ai tregoi për emocionet që kanë përcjell atë gjatë luftimeve, duke theksuar se frika largohej kur gjendeshin përball armikut.
“Të jem i sinqertë çdoherë para se me shku në ndonjë aksion apo betejë, jemi njerëz dhe kanë ekzistuar emocionet është shumë e vërtetë dhe emocionet kanë zgjatur deri në momentin kur kemi filluar luftimet, në ato moment kur kemi gjuajtur me armë, atëherë tek ne nuk ka pasur frikë por ndjenja se si të gjendemi krahas luftimeve”, përfundoi ai. /Gazeta Sinjali/