Policia është mobilizuar sot për të siguruar zbatimin e vendimit të qeverisë për ndalimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10:00 – 16:00 dhe nga ora 20:00 – 06:00.
Një sinjalizues ka dërguar një video nga Peja ku shihet një polic i vetëm në rrethrrotullim që ndalon automjetet.
Sidoqoftë, në momentin e ndalimit të një kombi-busi, polici e ka lejuar vozitësin që ta vazhdojë rrugën.
“Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)”, thuhet në pikën 1 të vendimit të qeverisë.
Ky vendim i qeverisë që ndalon qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve është cilësuar antikushtetues nga presidenti Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar version të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Thaçi gjithashtu i ka dërguar letër kryeministrit Kurti duke i kërkuar që ta pezullojë këtë vendim. /Gazeta Sinjali/