Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se sot rreth orës 19:00 pritet të rikthehet furnizimi me ujë për disa lagje të Prishtinës.
Lagjet e kryeqytetit, Dardania, Kalabria dhe Lakrishte kanë mbetur pa ujë gjatë të mërkurës si pasojë e prishjes së një gypi të ujit në rrugën “Ilaz Kodra” të Prishtinës.
“Zgjatja e sanimit ka ndodhë për shkak të natyrës më të ndërlikuar të dëmtimit. Sipas informacioneve nga terreni, furnizimi me ujë pritet të rikthehet rreth orës 19:00”, ka njoftuar KRU “Prishtina” përmes një komunikate për media të mërkurën.
KRU “Prishtina” ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për problemin e paraqitur, që i ka lënë pa ujë disa lagje të kryeqytetit./ Gazeta Sinjali/