image Një njësi speciale e policisë shpërbëhet në Frankfurt, shkak ekstremizmi i djathtë

Evropë

Një njësi speciale e policisë shpërbëhet në Frankfurt, shkak ekstremizmi i djathtë

news image

Njësia Speciale e Policisë (SEK) në Departamentin e Policisë në Frankfurt u shpërbë sot, pasi u zbulua se anëtarët e kësaj njësie ishin aktivë në platformat e komunikimit në internet, ku po mblidheshin anëtarët e ekstremit të djathtë.

“Ne nuk mund të shkojmë më tej sikur asgjë të mos kishte ndodhur”, tha ministri i Brendshëm federal në Hessen, Peter Beuth nga CDU, duke shpjeguar vendimin për shpërndarje.

Ai njoftoi një reformë të plotë organizative të departamentit special të policisë së Frankfurtit.

“Sjellja e oficerëve të policisë nën hetim, si dhe toleranca e eprorëve është e papranueshme”, tha Beuth, raportojnë mediat gjermane, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, askush nga ata që janë nën hetim nuk do të punojë më për policinë speciale dhe varësisht nga pesha e krimit të provuar, as për policinë në përgjithësi.

Ministri i policisë provinciale tha se një “frymë krejtësisht e re” duhet të mbizotërojë në Frankfurt në nivelet hierarkike të ulëta dhe të mesme të policisë.

“Sigurisht që ne kemi nevojë për forca speciale në të ardhmen gjithashtu, por ato duhet të formohen në një kornizë të re”, tha Beuth.

Zyra e Avokatit të Shtetit të Frankfurtit dhe Zyra Krahinore për Luftën kundër Krimit në Wiesbaden dje filluan një hetim kundër 19 oficerëve aktivë të policisë dhe një ish-oficeri policie të Frankfurtit për pjesëmarrje aktive në grupe në internet, përmes të cilave u përhap përmbajtja neo-naziste dhe urrejtja fetare dhe kombëtare./Gazeta Sinjali/