image Një muaj paraburgim për inspektorin e ATK-së në Rahovec

Kosovë

Drejtësi/ Një muaj paraburgim për inspektorin e ATK-së në Rahovec

news image

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit për një muaj të pandehurit D. F., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfetit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me inicialet D. F., më 14 janar 2020, në Rahovec në zdrukthëtarinë “B…”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka keqpërdorur detyrën zyrtare të inspektorit të ATK-së në Rahovec, me qëllim të mos inspektimit të punëtorisë të të dëmtuarit A. H., përmes të pandehurit tjetër B. H., ky i fundit në cilësinë e kontabilistit të në dyqanin e zdrukthëtarisë së të dëmtuarit, nga i dëmtuari A. H. ka marrë njëqind euro para të gatshme si dhe një tavolinë dhe katër karrige në vlerë prej 360 euro.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se me datë 14 prill 2020, i pandehuri B. H., si kontabilist i dyqanit ka marrë nga i dëmtuari A. H., edhe 500 euro të tjera të cilat paraprakisht i dëmtuari i kishte marrë nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë duke u zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit, përkatësisht simulimi i veprës penale të korrupsionit.

Bëhet e ditur se përmes kamerave të sigurisë të cilat ishin vendosur në punëtorinë e të dëmtuarit, në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Gjakovës, është arritur që i pandehuri të zihet në flagrancë dhe të arrestohet nga Policia e Kosovës.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Gazeta Sinjali/