Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për të ndaluarin, M.Gj. i cili dyshohet për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar“.
Sipas një njoftimi për media, ndalimi i të dyshuarit ka ardhur pas një sulmi që i njëjti ka bërë me datë 23 mars ndaj dy gazetarëve, të cilët kishin shkuar në veri të Mitrovicës për të bërë një kronikë rreth situatës me pandeminë e koronavirusit.
“Që nga dita e sulmit ndaj gazetarëve, i dyshuari ka qenë në arrati dhe është arrestuar ditën e enjte me datën 02 prill. Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ditën e sotme me datë 04 prill i ka caktuar të dyshuarit masën e arrestit shtëpiak prej një muaji”, thuhet në njoftim.