Një tetë vjeçare me autizëm është larguar nga shkolla fillore “Elena Gjika” në Prishtinë.
Drejtori i shkollës “Elena Gjika”, Betim Sylejmani, për rtv21 ka thënë sot se shkolla “Elena Gjika” nuk ia ka ndërprerë askujt shkollimin, mirëpo siç ka njoftuar Sylejmani pas vlerësimit të nxënëses nga ekipa komunale, sipas ligjeve në fuqi, nxënësja është referuar të ndjekë mësimet në Qendrën Burimore “Përparimi”.
Sylejmani ka njoftuar se pjesë e Komisionit janë zyrtarë të DKA-së, ekspertë të fushave të caktuara dhe asnjëri anëtar i komisionit nuk është pjesë e shkollës “Elena Gjika”.
“Sa i përket rastit të nxënëses në fjalë E.A, ne si shkollë e kemi pranuar edhe në parashkollor edhe këtë vit shkollor në klasën e parë, dhe të gjitha kërkesat e prindit ia kemi realizu duke e njohur rastin. Por pas vlerësimit të nxënëses nga EKIPA KOMUNALE, sipas ligjeve në fuqi, nxënësja është referuar të ndjek mësimet në Qendrën Burimore “Përparimi”, në fushat e aktiviteteve, si dhe në fund të vitit të bëhet një rivlerësim nga ky Institucion për rikthim në shkollë të rregullt. Vlerësimi është bërë nga : EKIPA KOMUNALE në kuadër të DKA-s , jo nga shkolla. Pjesë e Komisionit janë zyrtarë të DKA-s, ekspert të fushave të caktuara dhe asnjëri anëtarë i komisonit nuk është pjesë e shkollës sonë”, ka thënë Sylejmani.
Ai tutje ka theksuar se shkolla “Elena Gjika” vazhdon të zbatojë ligjet e Kosovës dhe udhëzimet për gjithëpërfshirje.
“Pasi i kemi edhe 20 nxënës tjerë me nevoja të ndryshme të veçanta duke i përfshirë këtu edhe dy nxënësit e shurdhër të cilët për herë të parë këtë vit janë integruar në klasë të rregullta, fal angazhimit të Interepreteve nga Komuna e Prishtinës”, ka thënë drejtori i shkollës. /GazetaSinjali/