NISMA Socialdemokrate – Dega në Prizren ka paralajmëruar se do të fillojë bisedimet me partitë e tjera opozitare për thirrje të një seance të jashtëzakonshme për ta shpallur kryetarin e Komunës se Prizrenit, Mytaher Haskukën “Person Non Grata”, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tyre, kjo do të bëhet për shkak se si qytetar me origjinë nga Prizreni, Haskuka ka keqpërdorur besimin e qytetarëve nga zgjedhjet e fundit lokale duke dëmtuar rëndë imazhin e qytetit me qeverisjen e keqe, me shumë afera korruptive dhe njerëz të cilët tashmë kanë aktakuza nëpër Gjykata dhe shumë të tjerë duke u hetuar për shkelje ligjore dhe vjedhje të parasë publike.
“Z. Haskuka si qytetar i papërgjegjshëm ka renditur Prizrenin si Komuna me përformancë qeverisëse nga më të dobëtat në Kosovë, në të gjitha dikasteret e jetës publike, ndërsa në anën tjetër fajëson dhe ofendon kuvendarët pa kurrfarë baze deri edhe në injorim duke mos marrë pjesë në Seanca të Kuvendit të Prizrenit ku trajtohen çështje jetike për qytetarët”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Sinjali/