Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se, ministria që ai udhëheq, ka pranuar disa kërkesa për mbështetjen financiare të avokatëve nga të akuzuarit e Speciales, shkruan Gazeta Sinjali.
Selimi tha se, së pari do t’i shqyrtojnë dokumentet, pastaj shuma e kërkuar e parave dhe në fund do të bëhet transferimi i mjeteve.
“Janë të klasifikuara. Ky klasifikim është bërë më herët në mënyrë që të ruhet konfidencialiteti mes avokatit dhe klientit. Ne i kemi pranuar disa kërkesa mund të them. Ato do të fillojnë të shqyrtohen këtë javë, pasi që deri tash e kemi pritur verifikimin e AKI-së të zyrtarëve të cilët do të merren me procesimin e këtyre kërkesave sepse na është dashur që ata ta kenë nivelin e verifikimit sekret. Grupi do të mbildhet shpejtë dhe do ta shqyrtojë çdo kërkesë me dokumentet përcjellëse”, tha Selimi.
Ai tha se ligji i obligon për t’i ndihmuar të akuzuarit potencialë, ndërsa theksoi se i kanë 20 milionë euro për t’i ndihmuar ata.
“Ne e kemi buxhetin e caktuar të Ministrisë së Drejtësisë, buxhet i cili ka të bëjë me Divizionin për Mbrojtjen e të Akuzuarve Potencialë. Është detyrë e jona për të cilën na obligon ligji. Nga ky ligj kanë dalë tri udhëzime administrative që e rregullojnë mënyrën se si ndahen ato fonde. Ne i kemi 7 milionë euro të cilat janë ndarë me amandamentim në Kuvend gjatë rishikimit buxhetor dhe 13 milionë euro tjera të cilat janë në buxhetin rezervë”, tha Selimi./Gazeta Sinjali/