image Nisin kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në veri, reagon shefi i EULEX-it

Siguri

Nisin kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në veri, reagon shefi i EULEX-it

news image

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, është shprehur i shqetësuar lidhur me siç ka thënë, raportimet në media se policët e rinj të Kosovës nga komuniteti serb po marrin mesazhe kërcënuese.

Përmes një postimi në Twitter, ai e ka quajtur të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi që bëhet.

“Jam shumë i shqetësuar nga raportimet e mediave lidhur me mesazhet kërcënuese kundër policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm, dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton si dhe ajo përfaqëson tërë popullsinë e Kosovës”, ka shkruar Pietro Barbano.

74 policë të rinj nga komunitetet joshumicë në Kosovë kanë filluar punën në veri të vendit, gjersa prej tyre 45 janë serbë.

Me të marrë detyrën e re, përdorues serbë të rrjeteve sociale e nisën një fushatë linçuese ndaj policëve të rinj nga ky komunitet.

Pesë prej tyre iu janë publikuar fotografitë dhe emrat në platformën ruse, Telegram, teksa është paralajmëruar edhe publikimi i fotografive dhe emrave të të tjerëve.

Në nëntor të vitit të kaluar, policët nga radhët e komunitetit serb u larguan nga ky institucion. Dorëheqja e tyre e pasoi suspendimin nga detyra të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, shkaku i refuzimit të tij për ta vënë në zbatim vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin në RKS të veturave që posedonin targa me akronime të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia.

Pas këtyre veprimeve, Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas.

/GazetaSinjali/