image Nis numërimi prapa- SHBA dhe BE shpresojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje para 21 nëntorit

Politikë

Nis numërimi prapa- SHBA dhe BE shpresojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje para 21 nëntorit

news image

Kanë mbetur edhe tri ditë deri në hyrjen në fuqi të fazës së dytë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e shoferëve që nuk i kanë konvertuar targat ilegale të makinave nga “KM” në “RKS”. Ky vendim i institucioneve të Kosovës është kundërshtuar nga përfaqësuesit e serbëve në Mitrovicën e Veriut të cilët kanë paralajmëruar rezistencë në rast të shqiptimit të gjobave, shkruan Gazeta Sinjali.

E, siguria në Veri të vendit vazhdon të jetë e brishtë ku rreziku është i pranishëm nga çasti në çast. Pasditen e 17 nëntorit, u raportua se dy shqiptarë janë sulmuar nga disa persona të nacionalitetit serb në Mitrovicën e Veriut.

Sipas Policisë së Kosovës, njëri nga të lënduarit është transferuar në pjesën jugore të Mitrovicës për ndihmë mjekësore, ndërsa tjetri ndodhet në QKB Mitrovicë në pjesën veriore.

SHBA dhe BE shpresojnë që të arrihet një marrëveshje para 21 nëntorit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta shtyente për 10 muaj vendimin për target, megjithatë, kjo kërkesë e aleatëve ndërkombëtar nuk u mor parasysh.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë, zbuloi tri fazat të cilat nisën zbatimin nga 1 nëntori dhe përfundojnë më 21 prill.

Ky vendim vuri në lëvizje edhe Bashkimin Evropian.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim me mbështetjen e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian”, citohet të kenë thënë nga DASH për VoA-n

Në anën tjetër, BE-ja ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës, të cilën zyrtarët evropianë kanë cilësuar më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano nuk tha se kur mund të ndodhë takimi por shfaqi shpresën se ai duhet të ndodhë shumë shpejt. Pasditja e së dielës apo mëngjesi i së hënës janë përmendur si periudhë e mundshme e takimit.

Stano ka thënë se synimi është gjetja e një zgjidhjeje evropiane.

“Pikërisht ky është qëllimi, që t’i kemi ata në Bruksel për të diskutuar me ta për rrugëdaljen. Shpresojmë se do të mund të vijnë shumë shpejt në mënyrë që të mund të merremi me çështjet, siç ka thënë Josep Borrell, përpara datës 21 dhe jo më pas”, ka thënë Stano.

Aktualisht zyrtarët evropianë janë duke zhvilluar diskutime të dendura me të dyja palët për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës ku përfaqësuesit e serbëve braktisën institucionet e vendit, pasi autoritetet e Kosovës filluan me një nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

/GazetaSinjali/