Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Një zënkë familjare që ka ndodhur dje mes axhës e nipit në Hajvali të Prishtinës ka bërë që ky i fundit të përdorë armën e zjarrit.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari pasi është fjalosur me axhën e tij, ka dalë nga oborri dhe ka shtënë disa herë me armë zjarri.
Menjëherë pas kryerjes së veprës, i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur, teksa viktima ka denoncuar rastin në Polici.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave se si ka ndodhur ngjarja.
Ndërsa me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’ dhe ‘Përdorim i armës’.