Eksperti i Evropës Juglindore në Këshillin Gjerman për Politikë të Jashtme me qendër në Berlin, Milan Nic, vlerëson se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka prishur koordinimin e Amerikës dhe Bashkimit Evropian për një marrëveshje normalizimi mes Kosovës dhe Serbinë.
Sipas Nicit, Kurti e prishi këtë përpjekje të ndërkombëtarëve me mos shtyrjen e vendimit për targat. Këtë reagim, Nic e nisi duke shpërndarë postimin e këshilltarit të DASH-it, Derek Chollet, i cili njoftoi për një bisedë që kishte zhvilluar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa shprehu zhgënjimin e tij me vendimin e Kosovës për çështjen e targave.
“Pasi luajti një rol vendimtar në shtyrjen e Serbisë për të pranuar kartat e identitetit të Kosovës në gusht (duke mbështetur lëvizjen e rrezikshme të kryeministrit të Kosovës), këtë herë diplomacia e SHBA-së qartësisht është mërzitur me Albin Kurtin”.
“Ai arriti të prishë një përpjekje të koordinuar BE-SHBA për të nxitur të dyja palët drejt një marrëveshjeje normalizimi”, ka shkruar Nic në Twitter.
Mes tjerash, ai thotë se Kurti ka humbur momentumin diplomatik dhe besimin e aleatëve kryesorë, veprime të cilat ai i cilëson si “jo të zgjuara” e “shkurtpamëse”.
Madje e ka krahasuar Kurtin edhe me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kur ky i fundit pati vendosur taksën 100 për qind ndaj Serbisë.
“Duke vendosur të krijojë fakte në terren për të niveluar fushën e lojës me Serbinë në dialog, kryeministri Kurti humbet momentumin diplomatik dhe besimin e aleatëve kryesorë. Veprim jo i zgjuar, shkurtpamës. Më kujton Haradinajn (duke i qëndruar shumë gjatë prapa taksës 100%, duke humbur kohë për avancimin ndërkombëtar të Kosovës)”, tha mes tjerash ai.
Eksperti i Evropës Juglindore në Këshillin Gjerman për Politikë të Jashtme me qendër në Berlin, Milan Nic, në fund tha se kryeministri Kurti është person që rrezikon, mirëpo shtoi se tani po e rrezikon suksesin e Kosovës.
“Albin Kurti është një person që rrezikon. Tani rrezikon një kthim të madh prapa për Kosovën në një moment suksesi të heshtur ndërsa po fitonte terren të ri. Si një mik i Kosovës, filloj të pyes veten nëse ky kryeministër është në gjendje të pranojë përparim në rritje, përfitime strategjike ose më tepër ka nevojë për përplasje të mëdha dhe përçarje”, ka shkruar Nic në Twitter.