Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pronarit të Kompanisë “Zhitija Turist”, Gazmend Zhitija, raporton Gazeta Sinjali.
Në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Sinjali thuhet se Zhitija më 10 janar të këtij viti, rreth orës 17:32, përmes telefonit seriozisht e ka kanosur me jetë gazetarin e Gazetës Infokus, për publikimin e videos ku shihen mërgimtarët duke e shtyrë autobusin e kësaj kompanie, në kufirin ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë.
“Ju nuk guxoni me u marr me kompaninë time, fshine atë shkrim, fshine atë video, përndryshe, kam me ku kallë me çka keni. Edhe kush merret me kompaninë teme, e kalli krejt. Ju e keni adresën aty (do të thotë në portal) dhe kam me ju gjetë”, thuhet të ketë thënë Zhitija, duke ngjallur te gazetari ndjenjën e ankthit dhe të pasigurisë për jetën.
Me këtë rast, Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të caktojë masën e paraburgimit ndaj pronarit të kësaj kompanie.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/