Prokuroria Themelore e Ferizajt, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit të Ferizajt, Faik Granica, raporton Gazeta Sinjali.
Ai akuzohet se ka kryer veprën penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 nëntor 2020, Faik Granica, po akuzohet se më 1 shtator 2016 në cilësinë e personit zyrtar, drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ashtu që subjektit afarist “Mozzarti KS” megjithëqë kishte qenë në dijeni se subjekti afarist nuk i plotësonte kushtet, atij ia kishte lëshuar pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë, raporton “Betimi për drejtësi”.
“Në cilësinë e personit zyrtarë, si drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me dashje i tejkalon kompetencat e tij, duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm pasurore personit tjetër, përkatësisht pronarit të bastores sportibe “Mossart KS”, Irfan Beroviqit, ndonëse kishte qenë në dijeni se subjekti afarist – bastorja sportive “Mozzart KS”, e cila gjendet në rrugën “Kadri Zeka”, në Ferizaj, me numër biznesi 70763370, nuk i plotësonte kushtet për të ushtruar veprimtarinë, ai ia lëshon pëlqimin me numër 04-16-66346, duke rënë kështu në kundërshtim me nenin 66 paragrafi 2.4 të Ligjit për lojërat e fatit, i cili përcakton distancën ndërmjet subjektit të lojërave të fatit dhe objekteve edukativo -arsimore, të institucioneve historike, fetare dhe të pronës komunale, meqë në distancë prej 155 metrash gjendet çerdhja e fëmijëve “Ninulla”, thuhet në aktakuzën e dërguar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Me këto veprime, Faik Granica, akuzohet se kishte kryer veprën penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.