image Ngrihet aktakuzë ndaj deçanasit që tentoi t’i privojë nga jeta katër persona në një lokal

Drejtësi

Ngrihet aktakuzë ndaj deçanasit që tentoi t’i privojë nga jeta katër persona në një lokal

news image

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ismet Zukaj, i cili ngarkohet për dy vepra penale: “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit, ku i pandehuri, dyshohet se i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, me përdorimin e një arme zjarri ka tentuar t’i privojë nga jeta katër persona.

“Sipas aktakuzës, më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit, i pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, dyshohet se me përdorimin e një arme zjarri ka tentuar t’i privojë nga jeta katër persona. Si pasojë e të shtënave, tre të dëmtuar kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit, prej të cilëve dy kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri lëndime të lehta trupore. Personi i katërt ka arritur t’i shmanget sulmit pa u lënduar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas raportimeve të mëhershme nga Sinjali, të plagosurit nga ky rast janë identifikuar si Daut Cacaj, Dejan Simiq dhe Radovan Millosheviq.

Aktakuza, sipas njoftimit, gjithashtu e ngarkon të pandehurin se armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale e kishte mbajtur pa autorizim ligjor, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Armët.

Pas arrestimit të tij, gjatë kontrollit dhe bastisjes janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municioni.

“Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri I.Z. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë”, thuhet në njoftim.

Sinjali pati raportuar ekskluzivisht detajet nga rasti:

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/