Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 si dhe Raportin me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)
Specialistët e papunë të Stomatologjisë të mërkurën protestojnë para MSH-së (Para Ministrisë se Shëndetësisë, Prishtinë, ora 10:00)
Me rastin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe me rastin e Lansimit të Rrjetit Mesdhetar të Grave Mediatore (MWMN) Dega në Kosovë, mbahet konferenca me titull: ‘E Ardhmja e Agjendës për Gratë, Paqen, Sigurinë dhe Drejtësinë në Kosovë dhe përtej. (Përmes platformës Zoom, ora 10:00)
Anëtarët e Grupit “Auto Drenica O2” mblidhen në Prekaz për të nderuar luftën e UÇK-së dhe drejtuesve të saj të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë. Me këtë rast, do të shpërndahen flamuj të UÇK-së dhe “stickersa”. (Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, Prekaz, ora 10:00)
Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës organizon konferencën shkencore ndërkombëtare “Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe zhvillimi ekonomik: Perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Pjesëmarrës do të jetë edhe kryeministri Avdullah Hoti. (Transmetim live: meet.google.com/vse-iciw-ynt, ora 10:30)
Seanca e radhës e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë do të jetë më 18 nëntor. (https://www.scp-ks.org/sq/transmetim ora 11:00)
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) organizon konferencë me rastin e lansimit të dokumentit “Raporti mbi performancën e komunave në fushën e komunikimit me qytetarë”. (Për shkak të rrethanave me pandeminë, konferenca transmetohet vetëm “live” në faqet e Facebookut të D4D, FES, ora 11:00)
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë informohet lidhur me vizitën e delegacionit homolog të Kuvendit të Shqipërisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)
Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës bën intervistimin e dëshmitarëve, lidhur me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”: Blerim Kuçi, ministër i Ekonomisë dhe Ambientit, Fatos Qerimi, sekretar i përgjithshëm; Arsim Janova, kryesues i Bordit dhe Petrit Pepaj, drejtor menaxhues, i Zyrës së Rregullatorit për Energji si dhe Arben Çitaku, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 11:00)
Në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Komunën e Drenasit, do të shfaqet ekspozita ‘Drenasi im i bukur në 160 fotot e Albert Sinanit’. (Sheshi “Fehmi Lladrovci”, Drenas, ora 11:00)
Pas rasteve të vjedhjeve kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri viziton banorët e fshatit Kçiq i Madh. (Shkolla e mesme “Bislim Imeri”, Kçiq i Madh, ora 12:00)
Kuvendi Rinor i Prishtinës shënon 2 vjetorin e themelimit. (Kino ARMATA, ora 16:00)./Gazeta Sinjali/