Besarta Jashari është e vetmja anëtare e familjes Jashari, e cili u mbijetoi sulmeve të 5, 6 dhe 7 Marsit të forcave serbe në Kullën e Jasharve në Prekaz, nga 59 sa ishin gjithsej në shtëpi ato ditë.
Sot, në 22 vjetorin e atyre sulmeve, me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahet për nderë të sakrificës së familjes Jashari, Besarta ka vendosur që përmes vargjeve të tregojë historinë që ajo përjetoi atë ditë dhe si ishte ndjerë gjatë asaj kohe./Gazeta Sinjali/
Letra e plotë e Besartës, pa ndërhyrje:
Betejën e 5, 6 dhe 7 Marsit, e nisën Fitimi e Besimi, duke ndezë flakën e lirisë e cila ndriçoj rrugën e UÇK-së deri në liri…
Plumbin e fundit e shtiu në forcat serbe vet Kushtrimi… edhe Kushtrimi i balit Adem më la.
NGELA VETËM APO JO?!
Isha e rrethuar me zjarrë e tym, më shoqëronin motrat e çikat e axhallarëve – por ato nuk flisnin, as nana nuk më fliste… dikur tymi u largua… dhe e pashë dhe u binda se
NGELA VETËM.
As Blerina nuk ishte me mua më… si asnjëherë më parë kisha nevojë të zgjohesha nga ëndrra, por ajo nuk ishte ëndërr… së paku kisha nevojë, për një njëri që t’më gënjejte ëmbel… e kotë
NGELA VETËM
Pa asnjë frikë, krenare me Jasharët e mi ecja rrugës nga shtëpia drejtë fabrikës së municionit që dikur ishte rruga ime për në shkollë… i pashë serbët, ishin të trishtuar, si duket plumbi i babës Shaban, balit Adem e babushit kishin shpaguar breza e breza.
Dhe kështu, ishte ajo ditë që zjarri i Kullës tonë u bë zjarrë për pushtuesin dhe shkëndi lirie për ne.
ÇDO GJË FILLOJ TË KISHTE KUPTIM
Besimi e Fitimi e nisën, sepse besonim të fitonim, ndërsa Kushtrimit e mbyli betejën e u bë kushtrim gjithëkombëtar për liri.
Atëherë edhe pushoj kënga “për mëmëdheun” e nisi “marshi i UÇK-së”
SOT
Nuk jam vetëm, e kam mixhën Rifat, vëllaun Bekimin dhe të tjerët, që kanë bërë që Kulla jonë të qëndrojë edhe më e fortë.
Kam Valonin, Dylin e Nolin që plotësojnë jetën time.
Ju kemi edhe juve popull anë e mbarë trojeve etnike shqiptare, që çdo herë kemi qenë bashkë.
Urime festën e lavdisë kombëtare
Gëzuar Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
E juaja,
Besarta