image Nga sot s'ka asnjë kufizim në lëvizjen e qytetarëve, janë lehtësuar edhe disa masa tjera

Shëndetësi

Nga sot s’ka asnjë kufizim në lëvizjen e qytetarëve, janë lehtësuar edhe disa masa tjera

news image

Kjo javë nis me zbatimin e masave të reja lehtësuese, të miratuara dje në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Qeveria dje ka marrë vendim që të rihapet kufiri me Shqipërinë dhe të hiqet lufizimi për lëvizjen e qytetarëve.

Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, nga sot të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do të vetizolohen, porse për ta do të ketë kontrolle të detajuara mjekësore në pikëkalimet kufitare, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ministria e Shëndetësisë së bashku me IKSHP-në ka konstatuar situatë të qëndrueshme por me rritje të lehtë të rasteve me COVID-19. Duhet ta kemi të qartë se virusi është ende aktiv”, tha Zemaj dje në mbledhjen e qeverisë.

Ai ka shtuar se pas analizës së bërë IKSHPK-ja ka rekomanduar ndryshim të masave shtesë.

“Kontrollin e detajuar mjekësor të të gjithë qytetarëve që hyjnë në Kosovë. Që nga dita e hënë propozoj që qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetëizolimit dhe në vend të testimit për ata që hyjnë do të jetë kontrolli i detajuar. Më lejoni të ju njoftoj që nga dita e hënë hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 05:00 deri në ora 21:00. Kërkojmë që të zbatohen me përpikëri rekomandimet”, ka shtuar ai.

Propozimet e Zemajt u bënë vendim në fund të mbledhjes, ku të gjithë zyrtarët e kabinetit qeveritar votuan për heqjen e këtyre masave.

Ndërsa paraprakisht, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka propozuar që të fillohen konsultimet për hapjen e fluturimeve.

“Në këtë pjesë, mendoj se edhe hapja e fluturimeve është mjaftë e rëndësishme. Prandaj me lejen e juaj do të kisha filluar konsultimet me Autoritetin e Aviacionit Civil me MSH-në dhe kompanitë ajrore që të rifillojnë fluturimet duke zbatuar masat ndaj COVID-19 në mënyrë që të marrim një miratim”, tha ai. /Gazeta Sinjali/