Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar se për herë të parë në nivel të Republikës së Kosovës, nga sot, kjo komunë ka filluar me realizimin e testeve të shpejta (rapide) antigjen për COVID-19 në shëndetësinë primare, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, Haskuka tha se qytetarët e Komunës së Prizrenit tanimë do të mund t’i kryejnë këto teste në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bajram Curr, duke e marrë rezultatin me 98,8% saktësi brenda 10 minutave.
“Po ashtu, një ekip tjetër lëvizës përmes “kujdesit shtëpiak” të ofruar nga Komuna, do t’i realizojë këto teste tek shtëpitë e pacientëve që nuk mund të shkojnë në qendrat e lartëcekura të mjekësisë familjare”, shkroi ai.
“Ndjehem i lumtur që përveç këtyre testeve, tanimë kemi kompletuar pakon e shërbimeve për Covid-19, duke i realizuar: Testet e D-Dimer-it, rentgenin e mushkërive, analizat tjera të nevojshme dhe testet serologjike”, shtoi tutje Haskuka.