image Nga Presidenca çeke flasin për Sinjalin: Të shtensionohet menjëherë situata në Veri

Politikë

Nga Presidenca çeke flasin për Sinjalin: Të shtensionohet menjëherë situata në Veri

news image

Situata e tensionuar në Mitrovicën e Veriut ka ndikuar që të largohet nga agjenda propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024. Ky vendim u mor gjatë takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, raporton Gazeta Sinjali.

Megjithatë, diskutimi për këtë çështje u caktua të mbahet më 30 nëntor.

Zëdhënësja e Presidencës Çeke të BE-së, Eva Hrncirova tha për Gazetën Sinjali se largimi i Kosovës nga agjenda, nuk nënkupton që është lënë anash çështja e liberalizimi të vizave.

Presidenca Çeke e mban Ballkanin Perëndimor lart në axhendën e saj, veçanërisht tani përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në procedurë të brendshme të Këshillit“, tha ajo.

Ministri i Punëve të Brenshme të Kosovës, Xhelal Sveçla gjatë konferencës së sotme pas mbledhjes të qeverisë përsëriti se situata është e tensionuar në veri të vendit.

“Situata në veri është e tensionuar, pasi strukturat kriminale atje janë të pakënaqura dhe janë të veshura me petk politik nga Beogradi Zyrtar, por institucionet e Kosovës janë duke e menaxhuar shumë mirë situatën gjithmonë në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in”, u shpreh ai.

Nga Presidenca çeke bëjnë thirrje për relaksim të situatës në Veri.

Bëjmë thirrje për një deeskalim të menjëhershëm të situatës aktuale në Kosovë në lidhje me targat e veturave“, u shpreh Hrncirova për Sinjalin.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar, për shkak të vendimit të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave që bartin targa ilegale serbe.

Serbët në veri, të kontrolluar në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat e Kosovës, RKS, dhe kanë paralajmëruar rezistencë ndaj tyre.

Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për shtyrje të procesit të riregjistrimit, Kurti nuk ka hequr dorë.

Aktualisht është e pezulluar – deri më 24 nëntor – faza e dytë e planit të tij, në përpjekje për t’i dhënë shans gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.

/GazetaSinjali/