Pandemia COVID-19 ka goditur edhe mantelbardhët. Prej fillimit të pandemisë, në Kosovë vdiqën 23 punëtorë shëndetësorë.
Nga marsi e deri tash nuk i mbijetuan infeksionit me koronavirus, 17 mjekë dhe 6 infermierë.
Gëzim Berisha, mjeku i cili shërbeu në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, si pasojë e infektimit me koronavirus, në fillim të dhjetorit e humbi betejën. Berisha, edhe gjatë luftës kishte shëruar plagët e shumë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Musa Krasniqi, raporton kosovapress, që është daja i doktorit, thotë se përkundër që specialisti i pediatrisë, Gëzim Berisha kishte telashe me mushkëritë, ai asnjëherë nuk hezitoi t’iu dalë në ndihmë atyre që kërkuan mjekimin nga ai.
“Ra viktimë vetë për të shëruar të tjerët”, thonë familjarët e Krasniqit.
Për 40 vjet iu kishte shërbyer si mjek qytetarëve të komunës së Dragashit, edhe Minafir Beshiri, por ai nuk arriti ta mposhtë koronavirusin. Muhamer Beshiri, djali i mjekut të ndjerë, thotë se deri në momentet e fundit besuan se babai i tyre do ta mposhtë sëmundjen COVID-19.
Muaji korrik ishte tragjik edhe për familjen Macula. Në këtë muaj kur vendi u godit nga vala e dytë e pandemisë, ndër të prekurit me koronavirus ishte edhe tekniku i dhëmbëve nga Mitrovica, Kujtim Macula, i cili në këtë profesion kishte shërbyer për një kohë shumë të gjatë.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se nga fillimi i pandemisë e deri tani rreth 1130 mjekë u infektuan nga koronavirusi, e shumë prej tyre nuk arritën ta mposhtin atë.
“Kjo është humbje e madhe së pari për familjen por edhe humbje e madhe për komunitetin tonë, por edhe për vetë institucionet ku kanë dhënë shërbime”, tha ai.
Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli përmes një përgjigje elektronike, ka treguar se nga fillimi i pandemisë e deri tani me koronavirus janë infektuar mbi 1200 infermierë, laborantë e mami. Sipas tij, gjashtë nuk arritën të mbijetojnë.
Mjeku i parë në Kosovë i cili vdiq si pasojë e infektimit me COVID-19, ishte mjeku nga Vitia, Fadil Zuka. Nga radhët e punonjësve shëndetësorë i dyti që humbi betejën me COVID-19 ishte kirurgu nga Gjakova, Ali Tolaj. Internisti-Reumatologu po ashtu profesor, Sylejman Rexhepi ishte mjeku i tretë që u bë viktimë e koronavirusit në moshën 67-vjeçare.
Lulzim Kolgjeraj ishte viktima e radhës nga mjekët, pasi u infektua me këtë virus. Pandeminë nuk arriti ta mposhtë as Kujtim Zarari, i cili ishte drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
Për të nderuar kontributin e tyre në luftën me pandeminë dhe gjithë punën që e kanë bërë në shërbim të pacientëve, gjatë muajit dhjetor ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani me medaljen e meritave i ka dekoruar profesionistët shëndetësorë që humbën betejën me COVID-19.