Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e shëndetësisë për vitin 2018, sipas të cilit numri i të vdekurve nga sëmundjet ngjitëse ishte 63, ku numri më i madh i të vdekurve ishte nga sëmundja Sepsis me gjithsej 21 persona, ose 33.3%.
Numri i rasteve të identifikuara dhe të trajtuara me sëmundje malinje dhe beninje, sipas ASK-së, gjatë vitit 2018, ishte 2 475 raste, ndërsa numri më i madh i të prekurve me sëmundje malinje dhe beninje i përkiste grup-moshës 60-64 vjeç, me gjithsej 392 raste, ose shprehur në përqindje 15.9%.
“Numri i dializave të realizuara gjatë vitit 2018, në të gjitha spitalet publike të Kosovës, ishte 124 446 raste. Ndërsa, numri i shërbimeve nga qendrat profesionale të shëndetit mendor ishte 352 380. Numri i të prekurve me TBC kishte 702 raste, prej tyre 338 ishin femra dhe 364 meshkuj. Numri i të vdekurve nga sëmundjet ngjitëse ishte 63, ku numri më i madh i të vdekurve ishte nga sëmundja Sepsis me gjithsej 21 persona, ose 33.3%. Në bazë të odave të profesionistëve shëndetësorë në Kosovë ka 19 241 punonjës shëndetësorë të licencuar, prej tyre 13 441 janë femra dhe 5 800 janë meshkuj. Numri i institucioneve private shëndetësore të licencuara ka arritur në 1 592, prej tyre 27 spitale dhe 1 565 institucione të tjera shëndetësore si: ambulanca, poliklinika etj”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, nga gjithsej 1 592 institucione private shëndetësore të licencuara, numrin më të madh e përbëjnë ambulancat stomatologjike me 418, ose 26.25%, e numrit të përgjithshëm të institucioneve të licencuara private.