image Nga AKR thonë se pas rinumërimit do të kenë tre deputetë

Kosovë

Zgjedhje/ Nga AKR thonë se pas rinumërimit do të kenë tre deputetë

news image

Kryetari i Kuvendit të AKR-së, Fatmir Matoshi, është shprehur i bindur se koalicioni Nisma-AKR-PD do ta kalojë pragun zgjedhor pas rinumërimit të 530 kutive të votimit.

Ai ka thënë se procesi i rinumërimit ka evidentuar disa parregullsi, korrigjimi i të cilave do të sjellë rezultat pozitiv për këtë koalicion.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Matoshi ka vlerësuar se për këto manipulime dikush duhet të japë përgjegjësi. “Koalicioni ynë ka kërkuar që të ketë rinumërim të tërësishëm të votave. Kjo kërkesë nuk është aprovuar. Megjithatë, KQZ-ja ka marrë vendim për rinumërim të disa kutive në komuna të ndryshme. Gjatë këtij rinumërimi po vërehen dhe po raportohen shumë parregullsi dhe dëmtime që i janë bërë koalicionit tonë. Korrigjimi i tyre patjetër se do të sjellë një rezultat më pozitiv për koalicionin AKR-NISMA- PD”, ka thënë Matoshi, i cili është kandidat për deputet nga ky koalicion.

Ai ka pranuar se koalicioni ka pritur rezultat më të mirë nga zgjedhjet e 6 tetorit.

“Ne jemi të bindur se kemi qenë pjesë e Kuvendit edhe të dielën e 6 tetorit bazuar në votat që janë në kuti të votimeve. Pavarësisht se koalicioni ynë do të jetë në Kuvend, më duhet të theksoj se ky rezultat nuk ishte ai që prisnim ne si subjekte politike”, ka deklaruar Matoshi, duke shtuar se procesi i rinumërimit po merr pak kohë, por po qartëson çdo gjë.

“E kuptojmë që i tërë ky proces po merr kohë pak më shumë sesa që do të duhej, por e mira e kësaj pune është që procesi i rinumërimit po përcillet në mënyrë strikte nga përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, vëzhgues të huaj, prokurorë, hetues etj. E gjithë kjo është një shpresë më shumë për një proces të pastër zgjedhor dhe, po ashtu, masat që priten të merren ndaj keqpërdoruesve të vullnetit qytetar do të jenë shenjë e mirë për proceset e ardhshme zgjedhore”, është shprehur Matoshi.

Matoshi ka folur edhe për numrin e deputetëve që AKR-ja do t’i këtë në Kuvend nëse ky koalicion e kalon pragun zgjedhor.

Sipas tij, në organin më të lartë legjislativ kjo pati do t’i ketë tre deputetë. “Unë besoj se AKR-Nisma-PD e ka kaluar pragun e përcaktuar për përfaqësim në Kuvend. Në bazë të rezultateve që ne tani i kemi, presim që AKR-ja të përfaqësohet me tre deputetë në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës”, ka bërë me dije Matoshi.