Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nesër (27 shkurt) do ta zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, shkruan Gazeta Sinjali.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sipas informacioneve të para, pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti në orën 15:00.
Ndërsa, në orën 16:15 Borrell pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve të ndara, në orën 17:15 Josep Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pranimi i letrës së përbashkët i Kurtit nga Macron, Scholz e Meloni
Gjatë ditës së sotme Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi një letër të përbashkët nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin evropian.
ZKM tha se me këtë letër, ata kanë “mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian”.
“Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit”, thuhet në letër.
Shkrimi i Derek Chollet përpara takimit të nesërm
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë sot se e përkrah angazhimin e Serbisë në propozimin e Bashkimit Evropian për marrëveshjen finale me Kosovën.
Chollet ka shkruar në Twitter të dielën se ka biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për takimin e së hënës në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit Vuçiq.
“Përshëndes angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë për konstruktivitetin në propozimin e BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, shkroi Chollet.