image Nga 50 euro vetëm mbushje telefonike – sa shpenzojnë krerët e Akademisë së Shkencave për udhëtime?

Kosovë

Buxheti/ Nga 50 euro vetëm mbushje telefonike – sa shpenzojnë krerët e Akademisë së Shkencave për udhëtime?

news image

Kryetari, ish-kryetari dhe gjashtë sekretarët e Akademisë së Shkencave i kanë shpenzuar hiç më pak se 7 mijë e 30 euro gjatë vitit 2019 për akomodim dhe mëditja gjatë udhëtimeve jashtë Kosovës.

Gazeta Sinjali ka kërkuar qasje në dokumente publike dhe rezulton se mëditjen më të lartë e ka marrë Fetah Podvorica, i cili gjatë viti 2019 ka udhëtuar në Mal të Zi, Shqipëri, Angli, Francë, i cili ka marrë fiks 1 mijë e 420 euro, ndërsa 250 euro shpenzime tjera.

Sekretarja e Shkencave, Myzafere Limani, ka shpenzuar  1 mijë e 357 euro për mëditje, akomodim dhe shpenzime të tjera gjatë udhëtimit të saj në Shqipëri dhe Zvicër.

Sekretari i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Eqrem Basha gjatë udhëtimit të tij në Austri dhe Shqipëri ka shpenzuar 1 mijë e 343 euro, për mëditje, akomodim dhe shpenzime të tjera.

Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, Justina Pula, ka shpenzuar 807 euro për mëditje, akomodim dhe shpenzime të tjera gjatë udhëtimit të saj në Shqipëri.

Sekretarja e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve, Lendita Pula i ka shpenzuar 684 euro për mëditje dhe akomodim gjatë udhëtimi të saj në Shqipëri.

Nënkryetari i ASHK-së, Jusuf Bajraktari ka shpenzuar 495 euro për mëditje dhe akomodim gjatë udhëtimi të tij në Shqipëri.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ka shpenzuar 291 euro për mëditje dhe akomodim gjatë udhëtimit të tij Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci ka shpenzuar 237 euro për udhëtimin e tij në Shqipëri për akomodim dhe mëditje.

Shumën më të vogël për mëditje dhe akomodim gjatë udhëtimeve në Shqipëri e ka shpenzuar Luan Mulliqi, ai ka shpenzuar vetëm 145 euro.

Në përgjigjen e ASHAK për Gazetën Sinjali, sipas tyre askush nuk harxhon për darka dhe dreka zyrtare.

“Të gjitha mjetet financiare në këtë kategori shfrytëzohen për aktivitete shkencore dhe artistike, si: tryeza, simpoziume, konferenca, koncerte, ekspozita”, thuhet në përgjigje për Gazetën Sinjali.

Ndërsa shpenzime telefonike nga kryetari i Akademisë, nënkryetari dhe sekretarja shkencore shpenzojnë nga 50 euro në muajt, përderisa vetëm sekretarja e Akademisë shpenzon nga 30 euro. /Gazeta Sinjali/