Pas Komunës së Mitrovicës dhe Vushtrrisë, dhe Skënderajt dita e diel pritet të jetë ditë pushimi edhe në Komunën e Podujevës.
Sipas rregullores, komuna ka njoftuar se do të ketë edhe disa përjashtime.
Nënkryetari i kësaj komunë, po ashtu edhe kandidat për kryetar nga radhët e LDK-së, Nexhmi Rudari, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se kjo rregullore është miratuar dhe do të zbatohet nga 1 marsi i këtij viti.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë, Pas kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve afariste, që operojnë në Komunën e Podujevës, për rregullimin e orarit të punës, ju njoftoj se tashmë kemi miratuar Rregulloren për orarin e punës së bizneseve që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës.
Ky dokument, është hartuar pas konsultimeve të shumta, ku janë marrë për bazë dhe janë përfshirë të gjitha propozimet, sugjerimet dhe kërkesat e qytetarëve, përfshirë edhe subjekteve afariste dhe ato të dala nga asamblistët e Kuvendit të Komunës.
Komuna e Podujevës ka bërë të gjitha përgatitjet dhe kjo Rregullore do të fillojë të zbatohet nga data 01.03.2020. /Gazeta Sinjali/