Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, përmes një konference për media tha se sipas informacioneve që posedojnë, deri më tani janë duke prirë në shumicën e vendvotimeve, shkruan Gazeta Sinjali.
Rudari tha se po presin rezultate të mira, gjersa procesi i numërimit është duke vazhduar.
“Presim rezultate të mira, procesi i numërimit është duke vazhduar. Por sipas informacioneve që i kemi jemi duke prirë në shumicën e vendvotimeve dhe shpresoj dhe besoj që kështu do të përmbyllet edhe kjo natë me një fitore në vazhdimësi të LDK-së “, tha ai pas mbylljes së vendvotimeve në Podujevë.
Ndërsa, rreth numrit të madh të njerëzve që janë mbledhur në selinë e LDK, Rudari tha se nuk ka qenë në dijeni se do të mblidhen të gjithë këta për t’i dhënë përkrahje.
Rreth mungesës së përfaqësuesve të lartë në seli të LDK-së, ai tha se deri më tash kanë qenë me të anëtarë të kryesisë, deputetë, por e kanë parë të arsyeshme që të largohen derisa në sallë të krijohen kushtet dhe të respektohen masat antiCOVID-19.