Tradita e ngjyrosjes së monumentit të kryeqytetit “NewBorn” për këtë vit do të përçojë ndodhinë kryesore të vitit 2024, liberalizimin e vizave.
Në shkronjat e monumentit janë të vizatuara simbole të shteteve në të cilat mund të udhëtohet pa viza, teksa qytetarëve u sugjerohet t’i vizitojnë këto vende.
Dizajnerja Nita Qena e cila ishte duke punuar në imazhin e këtij viti, tha se shumë shpejt do të mbarojë.
Ajo tha se viti 2024 karakterizohet me liberalizimin e vizave, prandaj edhe tema e ngjyrosjes së NewBorn-it është kjo ngjarje.
“Qëllimi i ilustrimit është si çdo vit ringjyrosja e “NewBorn” me temën e cila e ka karakterizuar vendin, ndodhitë e Kosovës gjatë këtij viti. 2024 ka qenë karakteristikë edhe një arritje e re e Kosovës ka qenë liberalizimi i vizave. Prandaj edhe tema e ngjyrosjes se “New Born” është liberalizimi i vizave. Kemi filluar prej pesë ditë pune edhe presim me mbaruar sa më shpejt, sa të na lejon drita”, tha Qena për KosovaPress.
Monumenti që simbolizonte lindjen e një shteti të ri u vendos në qendër të Prishtinës më 17 Shkurt 2008, në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.