Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se nesër në Kuvend të gjithë deputetët duhet ta votojnë Ligjin për Trustin.
Tahiri tha se i ka dy porosi për deputetët e Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
“I kam dy porosi për deputetët e Kuvendit të Kosovës: Ata që po mundohen të na tregojnë që Trusti është për pleqëri, e kanë shumë gabim, sepse kjo është e ditur”, ka shkruar Tahiri.
Mes tjerash, shefi i GP të AAK-së, tha se halli qëndron se si këta njerëz do të mbërrijnë pleqërinë, në mungesë të dorës së shtetit në këtë situatë krize.
Sipas tij, kontributdhënësit po i kërkojnë t’i marrin një pjesë të kursimeve të tyre, për t’i zgjidhur disa probleme jetike që i kanë në këtë gjendje të jashtëzakonshme.
Ndërsa në porosinë e tij të dytë, Tahiri tha se “logjika me i thënë jo secilit propozim të opozitës pa e dhënë asnjë arsyetim, është pazotësi, është ikje e përgjegjësisë dhe mbi të gjitha është mungesë e guximit për të marrë një vendim“.
Deputeti Tahiri, e përmbylli postimin e tij, duke thënë se “nesër të gjithë deputetët duhet ta votojnë Ligjin për Trustin“.