image Nesër rifillon mësimi për klasat e 9-ta, disa komuna nuk tregojnë nëse do ta respektojnë vendimin

Arsim

Nesër rifillon mësimi për klasat e 9-ta, disa komuna nuk tregojnë nëse do ta respektojnë vendimin

news image

Pas lehtësimit të masave kufizuese, nga dita e hënë, më 8 qershor, do të filloj mësimi plotësues për të gjithë nxënësit e klasëve të nënta, të cilët do t’u nënshtrohen testit të arritshmërisë.

Për këtë hap që do të hedhet që nga nesër me vendim të ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, shumë komuna kanë bërë të ditur se janë përgatitur për ta vënë në zbatim këtë vendim.

Ndër to është komuna e Gjilanit, kretari i së cilës ishte i pari i cili bëri të ditur se të hënën do të vijojnë mësimin plotësues nxënësit e klasëve të nënta për t’u përgatitur më pas për testin e arritshmërisë.

“Përpos çerdheve që janë funksionalizuar, të hënën do të vijojnë mësimin plotësues nxënësit të klasëve të nënta për t’u përgatitur për testin e arritshmërisë i cili mbahet me 23 qershor, ndërkaq më 4 korrik mbahet testi i maturës. Po punojmë shumë që ta përmbyllim vitin shkollor dhe të përgatitemi për fillimin e vitit të ri shkollor”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë një konference për medie të shtunën.

Edhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Mitrovicë ka njoftuar se institucionet edukative-arsimore në Komunën e Mitrovicës, për nxënësit e klasave të 9-ta dhe për çerdhen publike i kanë bërë përgatitjet përfundimtare për rifillimin e procesit mësimore në objektet shkollore.

Drejtori i saj, Egzon Jashari, ka deklaruar se shkollat janë të gatshme për pritjen e nxënësve të klasëve të 9-ta, në rikthimin e tyre dy javor me qëllim të realizimit të përgatitjeve përfundimtare për mbajtjen e testit të arritshmërisë, i cili pritet të mbahet me datë 23 qershor.

Nga ana tjetër nga Komuna e Istogut thonë se tashmë kanë bërë pergatitjet në të gjitha shkollat për realizimin e këtij mësimi, i cili do t’iu shërbejë nxënësve që të përgatiten për testin e arritshmerisë.

“Mësimi do të mbahet në klasë me nga 15 apo me pak nxënës, për shkak të respektimit të distancës. Të gjitha informatat e detajuara nxënësit do të mund t’i marrin nga shkollat përkatëse”, thuhet në njoftimin e komunës.

Objektet shkollore sot janë dezinfektuar dhe do të pastrohen, pas çdo dite mësimi, me dezinfektues, kurse shkolla duhet të respektojë të gjitha masat e marra në udhëzuesin e dhënë nga MASHTI.

Ndërkaq, komuna e Prishtinës, ajo e Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Ferizajt dhe e Vushtrrisë, në të cilën ditëve të fundit ka pasur një “shpërthim” të rasteve të reja me koronavirus, nuk kanë njoftuar ende nëse do ta respektojnë këtë vendim./Gazeta Sinjali/