image Nesër protestë në Policinë e Kosovës, të pakënaqur me pagat

Sociale

Nesër protestë në Policinë e Kosovës, të pakënaqur me pagat

news image

Nesër në Policinë e Kosovës do të protestojnë Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ për të shprehur pakënaqësitë për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficientëve sipas pozitave të tyre.

Kështu bëri të ditur kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri i cili theksoi se kjo protestë do të ndikojë edhe në punën e Policisë së Kosovës, sipas të cilit nuk mund të funksionojnë pa këto dy grupe.

Kryetari në këtë sindikatë, Zeqiri tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka tre muaj kur ka premtuar se do të rregullojë vlerën e koeficientit për të njëjtit punëtorë, mirëpo ende nuk ka reagim nga MPB-ja.

Ai thotë se për këtë çështje ka dërguar shkresë për takim sot edhe tek Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

“Si informacion për juve pak më i ri, kam informacione nga dy grupe të zyrtareve të stafit civil nga flota operative, pjesa e mjeshtërive që na i servisojnë veturat dhe nga punëtorët e Departamentit mbështetës operativ… Kam marr si paralajmërim se do të protestojnë rreth pakënaqësive për pagave. Arsyeja është se nga Ministria e Punëve të Brendshme ka premtuar para tre muajve se do të rregullojnë vlerën e koeficienteve sipas pozitive që kanë, ku në këtë grup janë, automekanik, autolimar, kemi murator, ujë instalues, elektricist e shumë kategori të mjeshtreve, ku me ligjin e ri të pagave janë diskriminuar shumë. Për këtë kam adresuar kërkese tek Ministri i Punëve të Brendshme që të takohemi edhe me punëtorët”, thotë Zeqiri.

Zeqiri tha se numri i këtyre punëtorëve që do të protestojnë është rreth 100.

“Kështu, informacionet i kanë së paku edhe të tjerët dhe mbështetjen nga sindikata do të kenë, mirëpo do të jemi shumë të kujdesshëm që të na shkojë mbarë…Flota operative janë rreth 60, ndërsa këta janë rreth 40. Pra, të dy palët janë rreth 100 punëtorë…Prej ministrit nuk kemi marrë ende përgjigje”, vijon Zeiqri.

Zeiqiri derisa tha se këtyre punëtorëve ju ka humbur durimi të presin më gjatë, shtoi se kategoritë e lartpërmendura kanë mbetur në kategorinë e koeficientit të një mirëmbajtësi.

“Këta që kanë paralajmëruar protestë nuk po presin më asnjë minutë, po fillojnë me dhe pa realizuar kërkesat e tyre nuk do të ndalin protestën. Se paku këto dy grupe punuese brenda PK-së është ky qëndrim vullnetar i tyre, sepse premtimi ka qenë që deri me 1 korrik të realizohen kërkesat e tyre dhe të bëhet përmirësimi rreth vlerës së koeficienteve, klasifikimi i tyre në vendin e punës ku punon. Është ekspert, mjeshtër, ata kanë mbet në kategorinë e punëtorëve ndihmës, me koeficientin 3.86 që është edhe një koeficient i një mirëmbajtësi…Pritet të fillojë nga nesër, kështu kam informacionet…Nuk mund të funksionojë policia pa këto dy grupe, nuk mund t’i kryejë detyrat e rregullta, sepse në rast se duhet të kryhet servis i një veture”, shton mes tjerash Zeqiri për KosovaPress.

Ai në fund shtoi se me Ligjin e punës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë.

Ligji për paga, i cili është në fuqi nga muaji shkurt, kishte përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorit publik 105 euro.

Megjithatë, ky ligj është në Gjykatën Kushtetuese të cilin më 7 prill Avokati i Popullit e ka dërguar në Kushtetuese.

Lidhur me këtë, Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarë komunal të arsimit, infermierë, mjekë, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione e organizata të tjera.

/GazetaSinjali/