image Nesër nis inspektimi në biznese për qeset, paralajmërohen gjoba

Kosovë

Nesër nis inspektimi në biznese për qeset, paralajmërohen gjoba

news image

Një muaj nga hyrja në fuqi e udhëzimit administrativ për qeset e plastikës, qytetarët tashmë kanë filluar të paguajnë nga 5 deri në 10 cent për një qese. Derisa ekspertët e mjedisit dhe disa qytetarë, e kanë mirëpritur këtë vendim, një pjesë e këtyre të fundit, thonë se në Kosovë ende nuk janë kushtet e jetesës sa për të paguar qese.

Një pjesë e bizneseve po implementojnë vendimin e Ministrisë së Mjedisit për qeset e disa jo. Megjithatë, të gjithë inkurajohen nga ekspertët e çështjeve mjedisore, duke e konsideruar si hap të duhur në të mirë të ambientit dhe me kosto të përballueshme.

Qytetarja Safete Shala e cila ishte duke hyrë në një market në Prishtinë, ka thënë për KosovaPress, se vendimi për shitjen e qeseve është vetëdijesim për të mos ndotur ambientin, derisa theksoi se pagat në Kosovë janë shumë të ulëta për të blerë edhe një qese.

Po ashtu, Nexhdet Kastrati ka thënë se ndotja e ambientit varet nga qytetarët dhe zgjidhja e kësaj situate e kërkon shitjen e qeseve.

Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë për KosovaPress, se metoda e udhëzimit administrativ nuk është konfirmuar nga qytetarët konsumatorë, derisa thekson se forma më e mirë për shitjen qeseve do të ishte rimbursimi i tyre me pagesë.

Njohësi i mjedisit, Agron Bektashi, vendimin për shitjen e qeseve të plastikës po e cilëson si hap të duhur për mjedisin. Ai ka thënë se të gjitha bizneset duhet të fillojnë me shitjen e qeseve.

Kurse, Visar Shehu, këshilltar në Ministrinë e Mjedisit, ka treguar edhe rregullat për të cilat bizneset duhet të i përmbahen gjatë shitjes së qeseve.

Shehu ka paralajmëruar se nga java e ardhshme do të fillojnë edhe me monitorimi te bizneset.

Ai tha se bizneset të cilët nuk i përmbahen udhëzimit administrativ për shitjen e qeseve sipas rregullores, do të gjobiten nga inspektorati tregut. /KP/

/GazetaSinjali/