Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër në një takim nga ora 14:00 për të përcaktuar datat e seancave të ardhshme plenare të legjislativit vendor, i cili kohëve të fundit për shkak të mungesës së kuorumit ka bërë që të mbetet mbrapa me miratimin e projektligjeve të parapara, shkruan Gazeta Sinjali.
Në rendin e ditës do të jenë pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 16, 21, 29 tetor dhe 27 nëntor.
Një prej pikave është votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit.
Tjetër pikë do të jetë edhe votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Duke vazhduar tutje me votimin e Projektligjit për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë dhe votimi në parim i Projekt Kodit Civil të Kosovës.
Po ashtu, në rend dite do të jenë edhe pikat e papërfunduara nga seancat plenare të datave 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8, 16, 29 tetor dhe 27 nëntor.
Këto pika janë për votimin në parim të Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, votimi i Propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.
Pikë e rendit të ditës do të jetë edhe votimi i Propozim-rezolutës nga interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, në Karaçevë të Kamenicës, dhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19.
Pikë e tretë e rendit të ditës janë edhe pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 8, 12, 16, 29 tetor dhe 27 nëntor mbi votimin në parim të Projektligjit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Automjete dhe votimin e propozim-rezolutës nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur nga 8 deputetë të GP të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në dialogun në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike.
Pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 21, 29 tetor dhe 27 nëntor do të jenë pika e katërt e rendit të ditës në takimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e të cilat kanë të bëjnë për votimin e propozim-rezolutës nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me pezullimin njëvjeçar i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Edhe votimi i Propozim-rezolutës nga interpelanca me Hotin sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Kosovës në mini-Schengenin ballkanik dhe votimi i Propozim-rezolutës nga interpelanca me Hotin, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndërsa pikat e papërfunduara nga seancat plenare të datës 29 tetor, 2, 3 dhe 27 nëntor përfshijnë votimin në parim të Projektligjit për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë, votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar mbi problemet e shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në veri të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për t’u kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës.
Tjetër pikë është dhe votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbajë të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur.
Pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 13 dhe 27 nëntor kanë të bëjnë mbi votimin e Propozim-rezolutës nga interpelanca me Hotin, sipas kërkesës së 8 deputetëve të GP të LVV-së, në lidhje me shfuqizimin e Task-Forcës Anti-Korrupsion në Policinë e Kosovës.
Pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 12, 19, 23 dhe 27 nëntor kanë të bëjnë për votimin e Propozim-rezolutës nga interpelanca me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”.
Pika tjera të papërfunduara janë edhe votimi në parim i Projektligjit për të Drejtën Ndërkombëtare Private, votimi në parim i Projektligjit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, votimi në parim i Projektligjit për Inspektoratin e Punës, votimi në parim i Projektligjit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, si dhe votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.
Tjera pika janë shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Kosovës për 2019, votimi i Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për 2019, votimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të MASH për 2019, shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për 2019, shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë për vazhdimin e mandatit dhe miratimin e buxhetit.
Ndërkaq do të jetë edhe interpelanca e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, mbështetur nga 5 deputetë të tjerë në lidhje me shmangien për të raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Pika e tetë e rendit të ditës së Kryesisë do të jenë edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 30 nëntor, si votimi në lexim të dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike, shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2020-2024, votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, për 2019 etj.
Gjithashtu do të jetë pikë e rendit të ditës edhe votimi i Raportit vjetor të Akademisë së Drejtësisë për 2019, votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për 2019, votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për 2019, votimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për 2019, votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për 2019.
Kuvendi pritet ta votojë edhe Raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për 2019, emërimi i kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të KOSTT, zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Ndërsa seanca e re plenare, data e së cilës pritet të caktohet, do të ketë dy interpelanca, e para me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.
Interpelanca e dytë do të jetë ajo me kryeministrin Hoti, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur nga 6 deputetë të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e Liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”.
Gjithashtu, pika të rendit të ditës së seancës së re plenare pritet të jenë edhe shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim, shqyrtimi i Statutit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, atij “Isa Boletini” në Mitrovicë, “Fehmi Agani” Gjakovë, “Kadri Zeka” Gjilan.
Si dhe shqyrtimi i raporteve vjetore për Zyrën e Rregullatorit për Energji për 2019, Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për 2019, Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut për 2018 dhe 2019, shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019, zgjedhja e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komunitetet jo shumicë. /Gazeta Sinjali/