Mbrëmja përkujtimore për Astrit Deharin do të mbahet nesër më 28 tetor duke filluar nga ora 18:00 në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, thuhet në faqen e Facebook-ut “Unë jam Astriti”, transmeton Gazeta Sinjali.
“Ju ftojmë që me datë 28 tetor (ditë e hënë) nga ora 18:00, në rrugën “Rexhep Luci” (afër Kino ABC) në Prishtinë, ku tashmë edhe është ngritur një mural përkujtimi për Astrit Deharin, të mblidhemi së bashku në një aktivitet përkujtimor për ta shprehur solidaritetin dhe dhimbjen tonë me familjen Dehari. Për kujtimin ndaj Astritit, le ta mbulojmë rrugëkalimin me qirinj, lule dhe kartolina me mesazhe për familjen. Drejtësi për Astritin”, thuhet në njoftim.
Rasti i Astrit Deharit u rikthye në publik pas ekspertizës së ardhur nga Zvicra në të cilën thuhet se bazuar në prova është pak e mundshme që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje, megjithatë nuk përjashtohet krejtësisht vetëvrasja. Kërkohet hetim i ri nëse një person i tretë është i përfshirë në rast./Gazeta Sinjali/