image Nesër del para gjykatës kosovari që u arrestua sot nga policia serbe

Sociale

Nesër del para gjykatës kosovari që u arrestua sot nga policia serbe

news image

Sot në kufirin Hungari – Serbi policia serbe ka arrestuar një kosovar, Abaz Beqirajn, shkruan Gazeta Sinjali.

Në lidhje me këtë për Sinjalin është deklaruar kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, duke bërë të ditur se Beqiraj nesër në orën 10:00 do të dalë para Gjykatës.

Ramosaj tha se kjo nuk është hera e parë që Beqiraj ka udhëtuar për në Gjermani dhe tha se është e pavërtetë që ka një gjobë të papaguar.

“Është ndaluar nga autoritetet serbe rreth orës 11:00 në kufirin Hungari-Serbi. Ka qenë duke u kthyer nga Gjermania, ku kishte shkuar me vizë turistike për t’i takuar familjarët e tij. Arrestimi i tij është bërë nën pretekstin se e ka një gjobë të papaguar, por kjo nuk është absolutisht e vërtetë pasi Abazi nuk ka udhëtuar për në Gjermani më parë, pra kjo është hera e parë”, deklaroi Ramosaj.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke thënë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka vendosur kontaktin me autoritetet atje.

Arrestimin e Beqirajt e ka konfirmuar për Sinjalin, nipi i tij. Ai tha se në momentin e arrestimit, policia serbe nuk ka paraqitur vendim të gjykatës.

Arlindi tha se kanë tentuar ta thërrasin Ministrinë e Punëve të Jashtme por nuk e kanë hapë telefonin.

“Çika e tij ka tentu me kontaktu Ministrinë e Punëve të Jashtme por nuk e kanë hap telefonin”, tha ai për Sinjalin.

Kujtojmë se dje dy kosovarë u arrestuan nga policia serbe me arsyetimin se kanë kryer veprën penale “vjedhje e pyjeve”, ndërsa sot një tjetër kosovar u arrestua në kufirin Hungari – Serbi kinse ka një dënim nga viti 2010.

Lajmin për arrestimin e dy personave në fshatin Dabinoc e ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Serbisë, duke njoftuar se të dyshuarve u janë konfiskuar një traktor me rimorkio dhe një sharrë elektrike.

“Policia ka arrestuar të dyshuarit në Dabinoc, ku në mënyrë të paligjshme kanë prerë pyllin dhe me atë rast ka konfiskuar një traktor me rimorkio të punuar me dorë, të ngarkuar me dru zjarri dhe një sharrë elektrike me motor që të dyshuarit e kanë përdorur gjatë krimit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Për arrestimin e Beqirajt janë deklaruar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të cilët thanë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka vendosur kontaktin me autoritetet atje.

/GazetaSinjali/