Kryeprokurori i Dhomave të Specializuara, Jack Smith, në mesin e argumenteve që ka listuar me arsyetimin se pse Kadri Veseli duhet të qëndrojë ende në paraburgim është edhe deklarata e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinakut, i cili para disa ditësh ka thënë se do të publikojë sërish dokumente Speciales në rast se ato i bien në dorë.
“Më 4 qershor të vitit 2021, Faton Klinaku, kryetari në detyrë i Veteranëve, një organizatë e përbërë nga ish-vartës të të akuzuarve me një anëtarësi solide prej mbi 40 mijë ka dhënë një intervistë në të cilën premtoi se do të publikojë dokumente konfidenciale të Dhomave të Specializuara nëse i bien në dorë. Kjo është e jashtëzakonshme, duke vënë në spikamë se z. Klinaku është kryetar i përkohshme, sepse kryetari i mëparshëm dhe nënkryetari i Veteranëve të UÇK’së po ndiqen penalisht në Dhomat e Specializuara për sjellje identike”, thuhet në këtë dokument.
Përveç këtij argumenti, Smith ka futur në këtë listë edhe fushatën “Liria ka emër, UÇK”, e cila sipas tij ka bërë jehonë kohën e fundit dhe ka vërtetuar se Kadri Veseli ka ndikim te mbështetësit e tij.
“Fushata ka qenë shumë e zëshme në muajt e fundit, duke demonstruar një rrjet konkret dhe aktiv mbështetës për të akuzuarin”, thuhet tutje në këtë dokument.