Rastet kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe, po del të jenë të shpeshta. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që ka ndodhur të martën në Ferizaj, Policia ka arrestuar një person, nën dyshimet për dhunë në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga një grua, e cila në hall nga ish bashkëshorti i saj, i cili ndonëse janë ndarë nuk po e lë rehat duke e kërcënuar.
Ajo është detyruar që rastin ta denoncojë në Polici, ku ka deklaruar se ish burri i saj F.M., përmes telefonit e kishte kërcënuar seriozisht, duke i thënë se “Nëse t’shoh në qytet kam me t’mbytë”.
Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmë nga Policia, me ç’rast i dyshuari është ftuar që të paraqitet në stacion policor, ku është ballafaquar me denoncimin kundër tij.
Pas dhënies së deklaratës, burimet thonë se me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij janë iniciuar rastet “Kanosje” dhe “Dhunë në familje”.