Infektologu i njohur kosovar, Ilir Tolaj, ka folur për mundësinë e mbylljes totale të vendit si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus.
Ai ka thënë se atë që e ka parashikuar kohë më para për valën e dytë, po ndodh tash.
“Sërish pas mbylljes do të kemi rritje të numrit të rasteve. Nuk është e papritur rritja e numrit të rasteve. Autoritetet është dashur ta shfrytëzojnë përiudhën e verës kur kishte më pak raste që t’i forcojnë kapacitetet mjekësore. Numri i mjekëve të rinj edhe pse i dëshiruar, nuk ndryshon shumë në kualitetin e shërbimeve, pasi që ata janë të papërvojë sidomos në rastet e rënda”, ka thënë Tolaj.
Sipas tij, është dashur të ketë më shumë shtretër dhe mos të ndizet tash sinjali i kuq.
Ai ka theksuar se deri më tash nuk është bërë asgjë sa i përket furnizimit me oksigjen dhe me ilaçe.
“Duhet ta dimë se si pasojë e masave jemi duke i privuar nga shërbimet pacientet më sëmundje tjera. Pas pandemisë do të kemi një bum të pandimeve të tjera, siç janë rastet më sëmundje kardiovaskolare”, ka thënë Tolaj.
Lidhur me masat e paralajmëruar, Tolaj ka thënë se qëllimi i masave është zvogëlimi i menjëhershëm i rasteve.
“Kjo është edhe e mundur, por kur e ndaloni socializimin e njerëzve në ambiente publike, nga restorantet, njerëzit do ta zhvendosin atë në shtëpitë e tyre. Në vend që të rrinë dy orë në restorant, atëherë ata do të rrinë 3-4 orë në shtëpitë e tyre dhe kjo e shton rrezikun”, ka thënë ai në televizionin publik.
Sipas infektologut Tolaj, numri i rasteve aktive në Kosovë është më i madh sesa e paraqet IKSHPK-ja.
“Me siguri i kemi rreth 15-20 mijë raste aktive në Kosovë. Duhet të ballafaqohemi me realitetit që pandemia nuk mund të ndalet, por duhet të kontrollohet. Numri prej 500-700 të infektuarve, nuk thotë asgjë. Masat e vlerësimit të situatës duhet të vlerësohet me parametra tjera, siç janë rastet e rënda”, ka theksuar ai.
“Në qoftë që ne ende nuk jemi duke u ballafaquar me mungesë të shtretërve, atëherë masat duhet të jenë më të moderuara. Jeta e Kosovës varet prej funksionimit të Prishtinës dhe duhet të jemi të kujdesshëm për masat që prekin Prishtinën. Duhet të ketë qasje fleksibile dhe masa më të buta. Jetët e njerëzve në kohë pandemie është vështirë të mbrohen tërësisht. Nëse nuk vdesim nga pandemia, do të vdesim nga uria, ose nga sëmundjet tjera, prandaj duhet të kihet kujdes”, ka thënë Tolaj./Gazeta Sinjali/