image Nëntë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë

Siguri

Nëntë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë

news image

Sipas Policisë së Kosovës gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar nëntë raste të dhunës në familje, raporton Gazeta Sinjali.

Rastet e raportuara të dhunës në familje kanë ndodhur në qytetet: Prishtinë, Fushë Kosovë, Pejë, Deçan, Klinë, Vushtrri e Ferizaj.

Sipas këtij raporti janë pesë raste të dhunës mes bashkëshortëve dhe tri raste të tjera mes anëtarëve të tjerë të familjes.

Në Fushë Kosovë një person është arrestuar e pastaj është dërguar në mbajtje, pasi që dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Ndërsa në Prishtinë vëllai e ka raportuar vëllain e tij për dhunë fizike. Sipas Policisë viktima ka pranuar ndihmë mjekësore ndërsa i dyshuari pas arrestimit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër ka ndodhur në Pejë. Atje babai ka raportuar se djali i tij ka tentuar ta sulmojë me thikë ku sipas Policisë i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Lutogallvë të Pejës ka ndodhur edhe një rast tjetër i dhunës në familje, ku një person ka sulmuar fizikisht vëllain e tij pas një mosmarrëveshje me pronë. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Dhunë fizike ndaj babait është ushtruar edhe në Deçan ku i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Klinë bashkëshortja e ka denoncuar burrin e saj në Polici pasi që i njëjti dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Viktima më pas ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Tri raste të tjera dhunës së burrave ndaj grave janë raportuar edhe në Vushtrri e Ferizaj.

Në rastin e parë burri ka shkuar në shtëpinë e ish-bashkëshortes dhe e ka sulmuar fizikisht, më pas ia ka marrë fëmijë dhe telefonin. Sipas Policisë i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në rastin e dytë babai i vajzës e ka denoncuar në Polici dhëndrin për dhunë të vazhdueshme ndaj vajzës së tij ku i dyshuari me urdhër të prokurorit pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Ferizaj gruaja e raporton bashkëshortin e saj në Polici për dhunë fizike të ushtruar ndaj saj. Palët janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin e shtetit,  rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

/Gazeta Sinjali/