image Nënshkruhet Marrëveshja për Mbulimin e Plotë të Polisës Kufitare

Financa

Nënshkruhet Marrëveshja për Mbulimin e Plotë të Polisës Kufitare

news image

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Byronë Kosovare të Sigurimit nënshkruan sot Memorandumin për mbulimin e kostos së sigurimit Kufitar për palët që janë subjekt i polisës kufitare.

Kjo ministri ka njoftuar se subjekt i kësaj marrëveshjeje janë të gjitha autoveturat dhe motoçikletat që hyjnë në pikat kufitare në Republikën e Kosovës, për të cilat Qeveria mbulon 100% të vlerës së primit të polisës kufitare.

Kjo polisë është efektive në momentin e lëshimit dhe vlen 1 muaj.

Polisa e sigurimit do të blihet në formë fizike në të gjitha pikat kufitare të shitjes të BKS-së.

Njëkohësisht, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë sot vendim për uljen e lartësisë së tarifës për 35%, e cila rrjedhimisht do të ndikojë edhe në uljen e kostos së përgjithshme.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet një akt simbolik në mbështetjen e mërgatës sonë, e cila shërben si shtyllë e ekonomisë së vendit. Vetëm gjatë vitit 2020, remitancat nga mërgata kanë kapur vlerën e më shumë se 1 miliard euro”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave./Gazeta Sinjali/