Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se rënien e kësaj partie e shkaktoi mungesa e komunikimit me elektoratin, si dhe përfshirja në koalicione qeveritare.
“Mendoj që rezultatin të cilin e ka shënuar Lidhja Demokratike e Kosovës kohëve të fundit nuk ka qenë rezultat vetëm i këtyre zgjedhjeve të fundit, ka qenë një rezultat i cili është akumuluar për disa vjet sepse rënia ka qenë e vazhdueshme, por që rënia më e madhe është shënuar në zgjedhjet e fundit”, ka thënë ajo.
Përveç që nuk është dëgjuar zëri i votuesve, ajo thotë se ka munguar komunikimi mes strukturave.
“Ka disa elemente të cilat mendoj mund t’i atribuohen kësaj rënie sa i përket mbështetjes qytetare, një prej këtyre është që në të kaluarën nuk është dëgjuar aq zëri i qytetarëve. Duke e fuqizuar lidhjet tona me degët ose strukturën të cilën e kemi do të arrijmë të kuptojmë më mirë se cilat janë kërkesat e elektoratit në nivelin më të ulët, pra në nivel komunal e të fshatrave. Ka munguar një komunikim i tillë, për të kuptuar më mirë cilat janë kërkesat e qytetarëve.”
Ndërkaq sipas Mjekiqit, qëndrimi në koalicionet e mëhershme nuk i kanë dhënë kohë dhe hapësirë Lidhjes Demokratike të Kosovës që të reflektojë për problemet e brendshme.
“Gjithashtu në disa raste kemi qenë pjesë e koalicioneve të ndryshme qeveritare pa qenë partia e parë në pushtet. Për shkak të sistemit zgjedhor që ka Kosova çdoherë me përjashtime kërkohet që qeveria të jetë e koalicioneve, por qëndrimi në koalicionet e mëhershme nuk i kanë dhënë kohë dhe hapësirë Lidhjes Demokratike që të reflektojë për këto probleme të ndryshme të brendshme që i ka pasur përfshi edhe komunikimin, sepse ndoshta nuk e ka parë të nevojshme.”
“Ndërkaq tani kur jemi në opozitë kemi më tepër kohë për të reflektuar, analizuar cilat kanë qenë problemet tjera sepse ka edhe të tjera dhe për ta rikthyer LDK-në në një afat të gjatë por me shumë vendosshmëri”, ka shtuar ajo.
Por, Mjekiqi ka konsideruar se rezultati i LDK-së në zgjedhjet nacionale nuk reflektohet edhe në ato lokale.
Ajo është shprehur optimiste që partia e saj në zgjedhjet lokale do të rikthehet me synim fitimin edhe në shumë komuna tjera të vendit.
“Ka një ndarje sa i përket rezultatit për zgjedhje qendrore dhe rezultatit për zgjedhje lokale, pra nuk mund të themi që rezultatin të cilin e kemi parë në nivel qendror do të reflektohet asisoj edhe në nivel lokal sepse e kemi parë këtë në të kaluarën.”
“Ne do të bëjmë përpjekjet maksimale që të ruajmë ato komuna me të cilat kemi qeverisur deri më tani, por përpjekjet tona do të jenë më të vërtet që të rikthejmë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe natyrisht të synojmë edhe komuna tjera në të ardhmen sepse kjo nuk është e pamundur”, ka thënë ajo.
Për fund, Mjekiqi ka thënë se ka shpresë që votuesit e humbur të LDK-së do të rikthehen të kjo parti pasi që ka shumë individë brenda saj që gëzojnë mbështetje elektorale.
“Është pak herët, meqenëse siç e dini çështjet kryesore me të cilat po merremi tani është fillimisht t’i analizojmë ato gjëra të cilat kanë çuar deri te humbja në zgjedhjet e fundit. Shohim se çfarë është me urgjencë sa i përket ristrukturimit, riorganizimit të partisë“, ka thënë ajo në një intervistë për EO.
“Nuk mund të them tani se kush do të jenë kandidatët, mirëpo këta kandidatë do të vijnë nga komunat përkatëse, do t’i identifikojmë më së miri në nivelin më të ulët-lokal, sepse struktura ka njerëz të cilët kanë mbështetjen e elektoratit, por që ndoshta në të kaluarën nuk kanë ardhur në pah dhe duhet t’i nxjerrim këta individë sepse ka një sentiment popullor që Lidhja Demokratike e Kosovës pavarësisht që nuk e ka arritur rezultatin të cilin do ta ketë dëshiruar, prapë se prapë ka një përkrahje qytetare dhe ka një shpresë që disa votues që na kanë ikur në të kaluarën mund të kthehen”, ka përfunduar Shqipe Mjekiqi./Gazeta Sinjali/