image Nënkryetari i LDK-së: Veprimi i Kurtit në veri krye në vete, s’u koordinua me aleatët

Politikë

Nënkryetari i LDK-së: Veprimi i Kurtit në veri krye në vete, s’u koordinua me aleatët

news image

Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se partia e tij e mbështet vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shtrirje të sovranitetit edhe në veri të vendit, por me kushtin që kjo të bëhet në koordinim të plotë me partnerët e Kosovës.

Po s’u bë në bashkëpunim me ta, Muhaxheri thotë se një veprim që merret në mënyrë të njëanshme nga Kosova i bën dëm vetë asaj.

“Si Lidhje Demokratike jemi dhe kemi dhënë mbështetje të shtrirjes së sovranitetit, por ajo që na ka befasuar neve si LDK është moskoordinimi i qeverisë me veprimin që e ka marrë me aleatët tonë, sidomos me ShBA-në. Pyetja e kryetarit Abdixhiku ishte nëse veprimi ka qenë veprimi i koordinuar dhe nëse është bërë në marrëveshje me partnerët strategjikë.”

“I bie që veprimi është i pakoordinuar dhe i marrë në krye në vete. Kjo është pyetje e kryetarit tonë që ka mbetur pa përgjigje. Ne jemi për të shtrirë sovranitetin, por ai është i mbështetur në miqtë tonë ndërkombëtarë dhe sidomos në ShBA-në, por edhe në Bashkimin Evropian. Veprimet e njëanshme janë të dëmshme për një vend të vogël siç është Kosova.”

Muhaxheri thotë se si do të përfundojë ky veprim mbetet të shihet në veprimet e ardhshme që do të marrë Qeveria Kurti, derisa shton se ato duhet të merren si një shtet i përgjegjshëm.

“Miqtë tonë s’duhet të qiten në sprovë dhe të testohen për veprimet e njëanshme. Çdo veprim është dashur të jetë në koordinim të plotë me SHBA-në dhe BE-në. Nëse s’janë në sinkron s’mund t’i sjellin të mira Kosovës.”

Muhaxheri ka thënë se mbesin të shqetësuar meqë nuk kanë marrë përgjigje prej kryeministrit se me çfarë mbështetje ka shkuar në veri me forcat speciale./Gazeta Sinjali/