image Nënkryetari i LDK-së: Pse të mos ketë nesër marrëveshje me LVV-në

Kosovë

Prononcim/ Nënkryetari i LDK-së: Pse të mos ketë nesër marrëveshje me LVV-në

news image

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova është optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Rugova tha se koalicioni me LVV-LDK nuk ka alternativë.

“Kam besu gjithmonë në një marrëveshje me LVV-në dhe prapë besoj. Nuk ka zgjidhje tjetër, duhet të arrihet marrëveshja”, ka thënë Rugova.

Në pyetjen se a ka gjasa që ky koalicion të bëhet nesër, Rugova tha: “Po pse me ndodhë e kundërta, nuk ka nevojë”.

Sikurse edhe anëtarët tjerë të Kryesisë së LDK-së, edhe Rugova mendon se marrëveshja duhet të përfshijë të gjitha postet e rëndësishme, përfshirë atë të presidentit.

“E kam thënë gjithmonë dhe asnjëherë s’e ndryshoj. Të gjitha postet që votohen në Kuvendin e Kosovës duhet të jenë pjesë e marrëveshjes. Postet kyçe e kam fjalën, natyrisht qeveria në radhë të parë. Mirëpo tash është një situatë pak më e re pas ngjarjeve të fundit. Ta shohim cilat do të jenë ofertat e tjera që vijnë. Nesër do të bisedojmë si kryesi dhe të shohim “, u shpreh ai.

Rugova, që e ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në mbledhjen e nesërme të Kryesisë së LDK-së, ka thënë se nuk ka informacion mbi atë se çfarë do të diskutohet saktësisht.

“Unë kam ftesë për me shku nesër në mbledhje të Kryesisë dhe asgjë më shumë nuk di. Çdo gjë çka flas mund të jetë spekulim. Zyrtarisht nuk kam ndonjë informacion. Mbledhja e Kryesisë merr vendime”, ka thënë Rugova.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nesër do t’i mbledhë anëtarët e Kryesisë së partisë për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit dhe mundësinë e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. /Gazeta Sinjali/